Një sulm izraelit vrau të premten një operativ të Hamasit dhe dy persona që ndodheshin me të në Bregun Perëndimor, njoftoi ushtria izraelite. Bëhet fjalë për një përdorim të rrallë të fuqisë ajrore vdekjeprurëse në territorin e pushtuar.
Hamasi konfirmoi se personi i identifikuar nga Izraeli si Qais Bitawi ishte një prej anëtarëve të tij dhe dënoi sulmin që i mori jetën. Edhe grupi militant aleat, Xhihadi Islamik, e ka deklaruar Bitawin si anëtar të tij, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Sulmi ajror kishte në shënjestër një automjet në zonën e Jeninës, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, thanë ushtria izraelite dhe ekipet mjekësore.
Bregu Perëndimor ka përjetuar një rritje të sulmeve të kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve, si dhe bastisjeve ushtarake në qytetet palestineze. Pjesa veriore e Bregut Perëndimor, ku ndodhet Jenina, ishte vitin e kaluar vendi i një operacioni të madh izraelit, për të cilin ushtria thotë se kishte për qëllim goditjen e bastioneve të militantëve palestinezë.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se Bitawi ishte i përfshirë në drejtimin, financimin dhe kryerjen e sulmeve ndaj civilëve dhe forcave të sigurisë izraelite. Sipas ushtrisë, ai kishte kontakte me anëtarë të Hamasit në Gaza, ku grupi e ka bazën, si dhe me anëtarë të tij jashtë vendit.
Shërbimi i ambulancave të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se trupat tokësore izraelite bastisën vendin e sulmit me dron, ndaluan për pak kohë personelin mjekësor dhe i penguan ata që t’i transportonin të plagosurit dhe të vrarët në spital.
Ushtria izraelite nuk kishte dhënë menjëherë një koment lidhur me deklaratat e shërbimit të ambulancave.
Operacionet e Izraelit në vitin 2025 në pjesën veriore të Bregut Perëndimor detyruan mijëra palestinezë të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa forcat izraelite zbrazën kampet e refugjatëve dhe mbajtën praninë e tyre për periudha më të gjata në disa qytete të Bregut Perëndimor sesa në çdo periudhë tjetër gjatë dekadave të fundit.