Mbi 93 mijë persona në nevojë nga përmbytjet katastrofike në Nepal dhe Tibet

Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) ka njoftuar se të paktën 93 mijë persona mund të jenë prekur nga përmbytjet e shpejta që goditën të mërkurën zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit.

Përmbytjet kanë shkaktuar afro 600 viktima, ndërsa rreth 1,900 persona rezultojnë të zhdukur. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, por po pengohen nga frika e përmbytjeve të reja dhe nga dëmtimi i rrugëve e urave.

“Trauma e këtij eventi është e jashtëzakonshme”, tha të premten David Fisher, kreu i delegacionit të IFRC-së në Nepal.

“Mijëra shtëpi janë shkatërruar ose kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Besojmë se të paktën 93 mijë persona janë prekur dhe janë në nevojë të madhe. Numri i viktimave është shumë i lartë dhe, fatkeqësisht, ka gjasa të vazhdojë të rritet”, shtoi ai.

Përmbytjet vdekjeprurëse ndodhën të mërkurën në mëngjes, pasi një pjesë e madhe e një akullnaje në Himalaje u shkëput dhe ra në luginën e Parkut Kombëtar Langtang në Nepal. Shkëputja shkaktoi një vërshim masiv uji, balte, shkëmbinjsh dhe akulli, i cili u përhap me shpejtësi përgjatë lumenjve dhe luginave.

Fshatra të tëra u shkatërruan, ndërsa u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan edhe termocentrale, rrugë dhe ura.

Terreni i pjerrët i Nepalit dhe luginat e gjelbra poshtë tij janë veçanërisht të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Ngjarjet ekstreme të motit, përfshirë shirat intensivë të musoneve dhe shkrirjen e akullnajave, janë bërë më të shpeshta për shkak të ngrohjes globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor.

“Dëmet janë thjesht të pabesueshme”, tha Lila Pieters Yahia, koordinatore rezidente e OKB-së në Nepal.

Ajo bëri të ditur se më shumë se 40 ura janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, ndërsa mbi 40 kilometra rrugë janë shkatërruar plotësisht.

Deri të premten pasdite, numri i viktimave kishte arritur në 584 persona – 579 në Nepal dhe pesë në anën tjetër të kufirit, në Tibet të Kinës.

Autoritetet nepaleze thanë se 1,942 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur, mes tyre qindra shtetas të huaj që ndodheshin në zonë për punë, për ecje malore me guida ose për pelegrinazh.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika