
Mickoski deklaron se për dy vite janë krijuar 17.000 vende të reja pune. VLEN ndërkohë krenohet se janë bërë rreth 2.000 punësime dhe avancime të shqiptarëve, deklaruan nga Aleanca për Shqiptarët.
Sipas ASH-së, edhe sikur ta marrim të mirëqenë shifrën e VLEN-it, 2.000 nga 17.000 janë vetëm 11,8%.
Dhe këtu VLEN i fut bashkë edhe punësimet, edhe avancimet, vetëm që numri të duket më i madh.
“E vërteta është se as 10% nuk janë shqiptarë.Ky është degradim. Nënçmim. Përçmim. Turp dhe dyfytyrësi politike.
Në vend që të luftojë për përfaqësim të drejtë dhe mundësi të barabarta, VLEN del dhe lavdërohet me një shifër që dëshmon pikërisht sa pak peshë ka brenda kësaj Qeverie. Çfarë mesazhi u dërgohet mijëra të rinjve shqiptarë që diplomojnë çdo vit? Të studiojnë, të specializohen dhe pastaj të shohin se mundësitë ndahen larg çdo proporcionaliteti? Kjo politikë vetëm i demotivon të diplomuarit shqiptarë, i shtyn të rinjtë drejt largimit dhe e thellon edhe më shumë pabarazinë.
17.000 vende të reja pune, ndërsa shqiptarëve më pak se 10%. Ky është turpi i radhës i VLEN-it”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët./Telegrafi


