Islanda voton kundër rinisjes së negociatave për anëtarësim në BE

Qytetarët e Islandës kanë votuar kundër rinisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, 13 vjet pasi procesi ishte pezulluar.

Sipas transmetuesit publik islandez RÚV, 52.8 për qind e votuesve kanë kundërshtuar propozimin e qeverisë, ndërsa 47.2 për qind kanë votuar pro. Diferenca ishte rreth 12 mijë e 600 vota.

Qeveria e qendrës së majtë, e udhëhequr nga kryeministrja Kristrún Frostadóttir, kishte planifikuar që referendumi të mbahej deri në vitin 2027, por vendosi ta zhvillojë më herët për shkak të tensioneve ndërkombëtare, përfshirë interesimin e presidentit amerikan Donald Trump për Grenlandën.

Megjithatë, gjatë fushatës referendare, debati në Islandë u përqendrua kryesisht te industria e peshkimit, e cila është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit.

Rreth 270 mijë qytetarë kishin të drejtë vote, ndërsa pjesëmarrja ishte 82.5 për qind, më e larta në një proces zgjedhor në Islandë që nga viti 2009.

Islanda është pjesë e tregut të përbashkët evropian dhe zonës Schengen, por jo e Bashkimit Evropian. Anëtarësimi do ta përfshinte vendin në unionin doganor të BE-së dhe, më vonë, në eurozonë.

Islanda kishte aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009, pas krizës financiare dhe kolapsit të sistemit bankar. Negociatat ishin avancuar ndjeshëm, por në vitin 2013, pas ardhjes në pushtet të një qeverie euroskeptike, procesi u pezullua.

Të drejtat e peshkimit kanë qenë pengesa kryesore atëherë dhe vazhdojnë të jenë edhe sot. Industria e peshkut dhe ajo detare përbëjnë rreth 40 për qind të eksporteve të Islandës. Kundërshtarët e anëtarësimit kanë frikë se Islanda do të humbiste një pjesë të kontrollit mbi zonat e saj të pasura të peshkimit në kuadër të politikës së përbashkët të BE-së për peshkimin.

Pyetja në referendum ishte: “A duhet Islanda të rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian?”

Një votë pro nuk do të nënkuptonte anëtarësimin e menjëhershëm të Islandës në BE, por vetëm rinisjen e negociatave. Marrëveshja eventuale e anëtarësimit do të duhej të miratohej përmes një referendumi të dytë, raporton BBC.

Në të njëjtën mënyrë, rezultati kundër nuk e përjashton përgjithmonë mundësinë që Islanda t’i rikthehet negociatave me BE-në në të ardhmen.

Përveç çështjeve ekonomike, në fushatë u diskutuan edhe shqetësimet e sigurisë. Islanda është anëtare themeluese e NATO-s, por nuk ka ushtri dhe mbështetet te aleatët për mbrojtjen e saj.

Vendi ka mbështetur Ukrainën pas pushtimit të plotë nga Rusia dhe zyrtarët islandezë kanë shprehur shqetësim për shtimin e aktiviteteve detare ruse pranë Islandës. Po ashtu, deklaratat e Trumpit për marrjen nën kontroll të Grenlandës kanë rritur shqetësimet për sigurinë në rajonin e Atlantikut të Veriut.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika