Drejtori i një shkolle në Nepal ka shpëtuar jetën e rreth 900 nxënësve, pasi vendosi t’i evakuojë vetëm 10 minuta para se përmbytjet e fuqishme të godisnin zonën.
Rajendra Dawadi, drejtor i shkollës së mesme Tribhuvan Trishuli në Nuwakot, i tha BBC-së se rreth orës 09:10 sipas kohës lokale kishte marrë katër telefonata nga persona të ndryshëm, të cilët e paralajmëruan për rrezikun e përmbytjeve.
Pas këtyre paralajmërimeve, Dawadi vendosi të mos humbte kohë dhe urdhëroi evakuimin e nxënësve. Ai u kërkoi fëmijëve të largoheshin drejt zonave më të larta, ndërsa autobusëve që po transportonin nxënës u dha urdhër të ktheheshin mbrapsht dhe të largoheshin nga zona.
“Po të mos merrnim një vendim të shpejtë, nëse do të ishim vonuar edhe 10 minuta, të gjithë ne – përfshirë nxënësit dhe mua – nuk do të mund të flisnim me ju sot”, tha Dawadi.
Ai tregoi se një prind kishte mbërritur në shkollë për të marrë vajzën e tij, duke i thënë se një përmbytje e madhe po vinte.
“Prindërit nuk nxitojnë pa një arsye të fortë. Kjo më konfirmoi se nuk duhej të humbisja asnjë sekondë për evakuimin e fëmijëve”, tha ai, raporton BBC.
Dawadi shtoi se, edhe nëse përmbytja nuk do të ndodhte, humbja e vetëm një dite mësimi do të ishte një çmim i vogël krahasuar me rrezikun.
“Jam krenar që shpëtuam kaq shumë jetë”, tha ai.
Përmbytjet që goditën pjesë të Nepalit të mërkurën shkaktuan dëme të mëdha, ndërsa ndërtesa e shkollës u mbulua nga balta dhe mbeturinat.
Sipas Dawadit, uji mbërriti me shpejtësi të madhe. Një ndërtesë konvikti, e ndodhur rreth 100 metra larg lumit, u përfshi menjëherë nga përmbytja.
Në fillim, shumë nxënës nuk e kuptuan se sa serioze ishte situata.
Nxënësja 16-vjeçare, Yunisha Amatya, tha se ajo dhe shoqet e saj arritën të shpëtonin vetëm pak çaste para se uji të mbërrinte.
“Unë dhe shoqet e mia mbijetuam vetëm për rreth 10 sekonda”, tha ajo për BBC-në.
Nxënësit dhe mësuesit fillimisht u zhvendosën disa qindra metra drejt një zone më të lartë, përpara se të vazhdonin drejt një fshati aty pranë.
Për shkak se rrugët u bllokuan dhe transporti u ndërpre, shumë prej tyre mbetën të bllokuar për dy net, deri në mbërritjen e ekipeve të shpëtimit.
Përmbytjet në Nepal kanë shkaktuar të paktën 794 viktima, ndërsa 2,426 persona rezultojnë të zhdukur.