Komiteti i Helsinkit: Vdekja e Mlladiqit nuk i dha fund ideologjisë nacionaliste të Serbisë

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka reaguar pas vdekjes së ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskës, Ratko Mlladiq, duke shprehur shqetësim për reagimet publike në Serbi dhe përpjekjet për ta paraqitur atë si hero kombëtar.

Sipas Komitetit, shqetësuese nuk është vdekja e Mlladiqit, i dënuar për krime lufte, por mënyra se si një pjesë e shoqërisë serbe ka reaguar ndaj saj.

“Thirrjet për varrim shtetëror, uljen e flamujve në gjysmështizë dhe glorifikimin publik të Mlladiqit tregojnë se vdekja e tij nuk po trajtohet thjesht si vdekja e një krimineli lufte të dënuar. Në vend të kësaj, disa po e përdorin atë si mundësi për të ringjallur dhe riafirmuar mitin e Mlladiqit si hero kombëtar”, thuhet në deklaratë.

Komiteti vlerëson se reagimet pas vdekjes së tij kanë nxjerrë në pah një problem më të thellë: Serbia nuk është përballur në mënyrë të sinqertë me politikat që çuan në luftërat e viteve ’90 dhe pasojat e tyre.

Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë serbe vazhdon të mbështesë narrativën se luftërat e viteve ’90 ishin një padrejtësi historike ndaj serbëve, ndërsa ata që i zhvilluan ato paraqiten si persona që “luftuan për lirinë e popullit serb”.

“Komiteti thekson se kjo ideologji nuk u zhduk me Slobodan Millosheviqin dhe as me aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ajo u ka mbijetuar të dyjave”, thuhet në deklaratë.

Veçanërisht shqetësuese, sipas Komitetit, është fakti se kjo narrativë ka gjetur mbështetje edhe te disa pjesëtarë të gjeneratës së re, përfshirë pjesë të lëvizjes studentore, e cila e sheh veten si bartëse të ndryshimeve demokratike.

Komiteti i Helsinkit thotë se kjo dëshmon se sa të rrënjosura mbeten modelet nacionaliste të mendimit në shoqërinë serbe dhe se procesi i përballjes me të kaluarën vazhdon të jetë i papërfunduar.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Serbia duhet ta pranojë se luftërat e viteve ’90 nuk ishin vetëm rezultat i rrethanave të jashtme apo i një padrejtësie historike, por edhe pasojë e politikave të ndjekura nga Beogradi, të cilat synonin ndryshimin e kufijve dhe statusit politik të serbëve në ish-Jugosllavi.

Sipas Komitetit, sfida më e madhe për Serbinë mbetet përballja me ideologjinë që e justifikoi luftën, zgjerimin territorial dhe dhunën në emër të kombit serb.

“Pyetja më e rëndësishme që ngre vdekja e Mlladiqit nuk është se çfarë lloj funerali do të ketë, por çfarë tregon glorifikimi i tij për shoqërinë që ai lë pas”, thuhet në deklaratë.

Ratko Mlladiq vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare. Ish-komandanti i Ushtrisë së Republika Srpskës ishte dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, nga viti 1992 deri më 1995.

Në vitin 2017, Mlladiq u shpall fajtor për një pikë të akuzës për gjenocid, pesë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte.

Ai u konsiderua përgjegjës, ndër të tjera, për vrasjen e më shumë se 7 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995, masakër e cilësuar si mizoria më e rëndë e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Mlladiq, i njohur nga viktimat dhe të tjerë si “Kasapi i Bosnjës”, u arrestua në Serbi në vitin 2011, pas më shumë se 15 vitesh në arrati.

 

Shija e redaktorit

Ekspozita “Ngjyrat e Lirisë” hapet në Prishtinë, arti në shërbim...

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka hapur sot në FLORI Gallery, në Prishtina Mall, ekspozitën “Ngjyrat e Lirisë”, një aktivitet artistik kushtuar luftës së...

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

Të fundit nga rubrika