Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nuk e ka përmbyllur përbërjen e plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas emërimit sot të anëtarëve të rinj.
Sipas DnV-së, KQZ-ja aktualisht ka 10 nga 11 anëtarët që parashihen me Kushtetutë.
Në një komunikatë për media, DnV ka thënë se argumenti se KQZ-ja mund të funksionojë edhe me 10 anëtarë nuk mund të përdoret si arsyetim për moskompletimin e këtij institucioni.
“Kushtetuta e ka përcaktuar përbërjen e KQZ-së dhe respektimi i saj nuk mund të varet nga vlerësimi nëse mungesa e një anëtari e pengon apo jo punën e përditshme”, thuhet në komunikatë.
DnV ka paralajmëruar se normalizimi i një praktike të tillë mund të krijojë precedent, të dobësojë sigurinë juridike dhe të cenojë besimin në institucionin përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve.
Organizata i ka bërë thirrje Haxhiut që pa vonesë ta përmbyllë procesin e emërimit dhe KQZ-në ta kompletojë edhe me anëtarin e 11-të.
Sipas DnV-së, emërimi duhet të bëhet duke respektuar modelin e përfaqësimit të grupeve parlamentare, i cili është zbatuar në praktikën institucionale deri në ciklin e fundit. Sipas këtij modeli, grupet parlamentare përfaqësohen fillimisht në mënyrë të barabartë, ndërsa vendet shtesë plotësohen sipas radhës së grupeve më të mëdha.