Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se nuk e përkrah kandidaturën e propozuar për President të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi, Hoti ka thënë se kundërshtimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me atë që e quan parim politik dhe institucional.
“Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter”, ka shkruar Hoti.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se kandidatura nuk përputhet me interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj.
“Njëkohësisht, kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj. Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike”, ka deklaruar ai.
Hoti ka kërkuar që LDK-ja të mbajë një qëndrim të pavarur dhe të mos e mbështesë një kandidaturë vetëm në funksion të një marrëveshjeje politike.
“LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së”, ka shkruar deputeti.
Hoti ka theksuar se për të, çështja nuk lidhet me individin, por me parimet politike dhe përgjegjësinë ndaj votuesve të LDK-së.
“Kjo nuk është çështje individësh. Është çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!”, ka shtuar Hoti.