Analisti politik, Arton Muhaxheri, ka komentuar për dakordimin rreth emrit të Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke e cilësuar këtë si pjesë të një marrëveshjeje politike të motivuar nga frika e zgjedhjeve.
Muhaxheri tha se ka dëgjuar për herë të parë se Sejdiu mund të jetë pjesë e një dakordimi politik, ndërsa më pas edhe për mundësinë që ai të jetë kandidat për president.
“Kam dëgjuar për të, ka qenë vendimi kundër për qeverinë e Avdullah Hotit. Roli i tij ka qenë dominues. Hera e dytë që dëgjoj është kandidatura për president”, tha Muhaxheri.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë mes partive politike mund të jetë rezultat i frikës nga shkuarja në zgjedhje.
“Ky është një pazar i frikës që i ka kapur këto dy parti politike, duke mos dashur të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh ai.
Muhaxheri veçanërisht kritikoi mënyrën se si, sipas tij, LDK-ja po e trajton këtë proces. Ai tha se marrëveshja mund të mos ketë mbështetje të plotë brenda partisë, pasi sipas tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk është konsultuar mjaftueshëm me strukturat partiake.
“Sidomos LDK-ja ia ka bërë marrëveshjen që në fakt nuk e dimë nëse do të votohet, pasi që ka zyrtarë që janë kundër brenda LDK-së. Pse janë kundër, kanë shumë arsye, pasi që Abdixhiku nuk është konsultuar me ta”, tha ai.
Ai theksoi se vendimet e tilla, sipas tij, duhet të diskutohen me grupin parlamentar dhe kryesinë e partisë.
“LDK-ja ka një tjetër formë të funksionimit, është dashur të diskutohet me grupin parlamentar dhe kryesinë. Abdixhiku nuk është Albin Kurti. Duke mos pasur fuqinë e tij në LDK, sikurse ka Kurti me Vetëvendosjen, nuk mundet me marrë hapa të tillë pa i konsultuar njerëzit që kanë edhe mëdyshje a kanë me i votu a jo”, deklaroi Muhaxheri.
Sipas tij, procesi nuk ka qenë transparent dhe mbeten pikëpyetje se cilët emra të tjerë janë diskutuar përveç Bekim Sejdiut.
“Ky proces nuk ka qenë aspak transparent. Nuk e dimë se kush ka qenë tjetër pos Bekim Sejdiut. Kam dyshimet që mund të kalojë si proces”, përfundoi ai.