Supremja i hap rrugë Trumpit për vazhdimin e ndërtimit të sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë

Gjykata Supreme e SHBA-së ka lejuar administratën e presidentit Donald Trump të vazhdojë ndërtimin e një salle të madhe për pritje dhe ngjarje në Shtëpinë e Bardhë, në një vendim që përbën fitore për presidentin amerikan.

Me një vendim 5-4, gjyqtarët pranuan kërkesën urgjente të administratës Trump dhe pezulluan vendimet e gjykatave më të ulëta që kishin ndaluar një pjesë të punimeve mbi tokë.

Megjithatë, kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, një konservator, u bashkua me tre gjyqtarët liberalë në kundërshtim me vendimin. Në arsyetimin e tij, Roberts tha se ndërtimi “ka gjasa të jetë i paligjshëm”, pasi Kongresi nuk e ka miratuar projektin.

Padinë ndaj administratës e kishte ngritur organizata National Trust for Historic Preservation, e cila kundërshton projektin dhe argumenton se presidenti nuk ka autoritet të njëanshëm për të ndërmarrë një ndërhyrje të tillë në kompleksin historik të Shtëpisë së Bardhë.

Trump kishte shembur krahun lindor të Shtëpisë së Bardhë vjeshtën e kaluar për t’i hapur rrugë ndërtimit të sallës së re. Projekti, me vlerë rreth 400 milionë dollarë, parashikon një hapësirë prej rreth 8,400 metrash katrorë, raporton BBC.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se salla pritet të jetë “në masë të konsiderueshme” e përfunduar deri në nëntor, ndërsa përfundimi i plotë i projektit është planifikuar për gusht të vitit 2028.

Në urdhrin e publikuar të hënën, shumica e gjyqtarëve thanë se gjykatat më të ulëta “me gjasë kanë tejkaluar” autoritetin e tyre duke bllokuar punimet. Ata nuk vendosën përfundimisht nëse projekti është i ligjshëm, por vlerësuan se organizata që kishte ngritur padinë nuk kishte të drejtë ligjore për ta çuar çështjen përpara.

Roberts, në kundërshtimin e tij, argumentoi se dëmet e pretenduara nga organizata ishin të mjaftueshme që padia të vazhdonte. “Vendimi i sotëm nuk është fitore për ndarjen e pushteteve”, shkroi ai.

Trump e mirëpriti vendimin, duke e cilësuar padinë si “të pabazë”. Ai tha se salla do të jetë ndër ndërtesat “më të mëdha” të ndërtuara ndonjëherë në Washington.

Presidenti amerikan ka argumentuar prej kohësh se Shtëpia e Bardhë ka nevojë për një hapësirë më të madhe për organizimin e ngjarjeve. Kohët e fundit, ai ka përmendur edhe çështjet e sigurisë si një arsye për ndërtimin e sallës.

Projekti i sallës së ballove është pjesë e një plani më të gjerë të Trumpit për të ndryshuar pamjen e kompleksit presidencial dhe zonave përreth tij. Në kuadër të këtyre ndërhyrjeve, në Lëndinën Jugore të Shtëpisë së Bardhë po ndërtohet edhe një helipad.

Shija e redaktorit

Ekspozita “Ngjyrat e Lirisë” hapet në Prishtinë, arti në shërbim...

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka hapur sot në FLORI Gallery, në Prishtina Mall, ekspozitën “Ngjyrat e Lirisë”, një aktivitet artistik kushtuar luftës së...

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

Të fundit nga rubrika