Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas protestës së komunave të Kosovës kundër, siç ka thënë ai, qasjes së Qeverisë ndaj pushtetit lokal.
Lushtaku ka deklaruar se Qeveria po i dobëson kompetencat e komunave, duke ua lënë atyre barrën financiare dhe më pas duke kërkuar llogari për shërbimet ndaj qytetarëve.
“Qeveria nuk mund t’i marrë kompetencat komunave, t’ua lërë barrën financiare dhe pastaj të kërkojë llogari për shërbimet ndaj qytetarëve”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Ai e ka cilësuar protestën si një përplasje mes demokracisë dhe autoritarizmit, duke theksuar se pushtetet komunale janë të zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët.
“Kjo protestë është mbi të gjitha përplasje mes demokracisë dhe autoritarizmit. Pushtetet komunale janë të zgjedhura nga qytetarët dhe kanë mandat kushtetues e ligjor për t’i udhëhequr punët e tyre”, ka deklaruar ai.
Sipas Lushtakut, çdo përpjekje për dobësimin e komunave nënkupton largimin e vendimmarrjes nga qytetarët.
“Sot ishte protesta e komunave, por mbi të gjitha ishte paralajmërim politik se pushteti lokal nuk do të heshtë përballë padrejtësive dhe cenimit të autonomisë së tij”, ka shkruar ai.
Lushtaku ka kërkuar më shumë decentralizim dhe kompetenca për komunat.
“Kosova ka nevojë për më shumë decentralizim, më shumë kompetenca dhe më shumë fuqi për komunat dhe jo për një Qeveri që kërkon ta mbledhë çdo vendim në kolltuqet e tyre!”, ka përfunduar ai.