Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka deklaruar se në parim do ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, nëse për këtë arrihet konsensus brenda grupit parlamentar të LDK-së.
Në një prononcim për media, Kica-Xhelili tha se nuk ishte deklaruar më herët për kandidaturën e Sejdiut për shkak të njohjes së saj të gjatë profesionale me të.
Ajo tregoi se Sejdiun e njeh që nga koha kur ishte e angazhuar si avokate dhe kishte raste që trajtoheshin në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë qëllimisht ende nuk jam deklaruar, meqë kam një prapavijë pak më ndryshe në raport me këtë kandidaturë, jo në kuptimin e saj negativ, natyrisht, sepse unë zotëri Sejdiun e kam njohur përmes angazhimit tim si avokate dhe asokohe kemi pasur lëndë të cilat kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.
Kica-Xhelili vlerësoi se përvoja profesionale që ka pasur me Sejdiun e bën atë më të drejtpërdrejtë në vlerësimin e kandidaturës së tij.
“Rrjedhimisht, unë jam pak subjektive, nëse mund të them ashtu, kur vjen puna tek vlerësimi i kësaj kandidature, sepse zotëri Sejdiun e njoh në aspektin profesional shumë më gjatë sesa tani që u shpërfaq si një emër i cili po propozohet nga dy parti politike”, u shpreh deputetja.
Sipas saj, Sejdiu i përmbush kriteret profesionale për të qenë kandidat për president.
“Zotëri Sejdiu, sa i përket kësaj në kuptimin profesional, i përmbush të gjitha kushtet që të mbështetet”, deklaroi Kica-Xhelili.
Megjithatë, ajo theksoi se vendimi përfundimtar do të varet nga konsensusi brenda grupit parlamentar të LDK-së.
“Vota ime në parim do të jetë ‘për’, në qoftë se dakordohet edhe grupi parlamentar, sepse, të them të drejtën, në kuptimin personal nuk kam shumë vështirësi të gjej arsye të mos e votoj, të paktën parimisht. Kështu që mendimi im është ky dhe me shumë gjasa kjo do të jetë natyrisht nëse kemi konsensus si grup parlamentar”, tha ajo.
