Bekim Sejdiu “s’merr bekimin” e 6 deputetëve të LDK-së për president

Kandidati për president të Kosovës, Bekim Sejdiu, nuk po merr mbështetjen e gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se deputetët Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtim Shala kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së partisë për mbështetjen e Sejdiut për president.

Kryesia e LDK-së ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe ka mbështetur nominimin e Sejdiut për president të Republikës së Kosovës.

Hykmete Bajrami ka deklaruar se votën e saj nuk ia ka deleguar askujt dhe se do të votojë sipas bindjes së saj dhe interesit të vendit.

“53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt”, ka shkruar Bajrami.

Ndërkohë, Abdixhiku ka kritikuar qëndrimin e gjashtë deputetëve, duke thënë se me refuzimin e tyre po i bëjnë dëm Kosovës dhe LDK-së.

“Po i bëjnë dëm Kosovës dhe LDK-së dhe në çdo palë zgjedhje të ardhshme që shkaktohen për shkak të këtij refuzimi, do të jetë me pasoja të rënda”, ka deklaruar Abdixhiku.

Të fundit nga rubrika