Analisti politik Sadri Ramabaja ka komentuar përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke thënë se përçarja brenda partisë nuk është shkaktuar nga emri i kandidatit.
Ramabaja, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, ka deklaruar se situata në të cilën ndodhet sot LDK-ja është rezultat i zhvillimeve të mëhershme dhe jo vetëm i kandidaturës së Sejdiut.
Ai ka pretenduar se kundërshtimi ndaj kandidaturës do të ekzistonte pavarësisht se kush do të ishte emri i propozuar, duke theksuar se sipas tij, qëndrimi i gjashtë deputetëve mbështetet edhe nga disa kryetarë komunash.
“Në situatën që jemi sot nuk kemi ardhur krejt rastësisht, ‘’thyerja’’ e LDK-së nuk është për shkak të Bekim Sejdiut edhe Ibrahim Rugovën po ta kishin sjell nga varri Lumir Abdixhiku dhe ta propozonte për kryetar druaj se kishim këtë thyerje – ndoshta ishte e tepërt kjo çështja e Rugovës, ekzagjeruese. Por, këdo që do ta sillnin si propozim kjo gjashqe dhe mendoj se nuk është vetëm kjo gjashqe por mbështet fuqishëm prej së paku 2-3 kryetarëve të komunave që nuk do të pranonin sepse janë peng të oligarkëve të Kosovës dhe këtë unë shpesh e kam theksuar”, u shpreh Ramabaja teksa nuk përmendi emra se kush kontrollohet nga oligarkët.
