Dogana e Kosovës ka njoftuar qytetarët që bëjnë blerje online nga jashtë vendit se dërgesat me mallra me vlerë të vogël mund të përfitojnë nga lirimi nga detyrimet e importit deri në vlerën prej 35 eurosh.
“Dërgesat me mallra me vlerë të vogël mund të përfitojnë nga lirimi nga detyrimet e importit deri në vlerën 35 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Sipas Doganës, ky lirim zbatohet për dërgesat që dërgohen drejtpërdrejt nga një vend jashtë Kosovës tek pranuesi në territorin doganor të Republikës së Kosovës, me kusht që vlera e përgjithshme e mallrave për secilën dërgesë të mos tejkalojë shumën e përcaktuar me legjislacionin në fuqi.
Nga ky lirim nuk përfitojnë produktet alkoolike, parfumet dhe ujërat e tualetit, si dhe duhani dhe produktet e duhanit.
“Para se të kryeni një blerje online nga jashtë Kosovës, informohuni për rregullat doganore dhe kushtet e lirimit”, ka apeluar Dogana e Kosovës.