Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në një restaurant në fshatin Balaj të Ferizajt, gjatë një ahengu familjar.
Rasti ka ndodhur më 1 shtator 2026, rreth orës 00:30, kur Policia ka pranuar informatën për të shtënat. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas janë angazhuar edhe njësitet e hetimeve dhe forenzikës.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë gjetur gjithsej 39 gëzhoja të armëve me gaz.
Në kuadër të hetimeve janë intervistuar dëshmitarë dhe janë siguruar video-incizime. Nga analizimi i tyre, Policia ka identifikuar dy të dyshuar, R.L., 27-vjeç dhe SH.M., 35-vjeç.
“Ndaj të dyshuarit R.L. është iniciuar rast për veprën penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’”, thuhet në njoftimin policor.
Ndërkaq, ndaj SH.M. është iniciuar rast për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Gjatë veprimeve policore janë sekuestruar dy armë me gaz.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.