Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave, dy prej tyre mjekë në Spitalin e Vushtrrisë, nën dyshimin për veprat penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, mjeku V.R. dyshohet se në gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S. në tri raste, në cilësinë e personave zyrtarë kanë kërkuar dhe pranuar para nga pacientë ose familjarë të tyre, në këmbim të ofrimit të shërbimeve mjekësore.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve V.R. dhe E.S., për shkak të veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkaq, nëntë të pandehurit F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K. akuzohen për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për vete apo për persona të tjerë, u kanë premtuar, ofruar ose dhënë mjekëve shuma parash nga 50 deri në 300 euro.
“Shumat e parave janë dhënë si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria pretendon se dy mjekët, përmes marrjes së parave, kanë vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare për ofrimin e shërbimeve të trajtimit mjekësor për pacientët.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe t’i dënojë sipas ligjit.
Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
