Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Haxhiu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se vendimi është marrë pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
“Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu.Vendimi vjen pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte shqyrtuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb për tërheqjen e dorëheqjeve dhe kthimin në vendet e punës.
KGJK-ja ka bërë të ditur se, me shumicë votash, ka vendosur ta refuzojë kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve dhe më pas t’i propozojë Presidentes lirimin nga detyra të gjyqtarëve.
Ky vendim vjen rreth një muaj pasi Haxhiu kishte liruar nga detyra edhe shtatë prokurorë serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022.
Rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Largimi kolektiv ishte nxitur nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi. Ky veprim erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave të automjeteve të lëshuara nga Serbia me targa të Kosovës.
