Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka sekuestruar rreth 10 kilogramë e 500 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë gjatë një operacioni në fshatin Nabërgjan të Pejës.
Operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga hetuesit e Njësitit për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, në kuadër të veprimeve hetimore dhe operative.
“Gjatë një operacioni të zhvilluar sot në fshatin Nabërgjan, Komuna e Pejës, janë sekuestruar rreth 10 kilogramë e 500 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, i cili ka koordinuar dhe mbikëqyrur veprimet e mëtejshme procedurale.
Gjatë operacionit është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
I dyshuari është duke u intervistuar nga hetuesit në Stacionin Policor, ndërsa hetimet po vazhdojnë nën udhëzimet e prokurorit të shtetit.
Po ashtu, gjatë operacionit është sekuestruar edhe një telefon mobil, i cili do të jetë objekt i procedurave të mëtejshme hetimore.
Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë veprimet e koordinuara në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët.