Lufta SHBA-Iran hyn në fazë të re, OKB-ja alarmohet për viktimat civile

Përshkallëzimi i fundit i luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka rikthyer në qendër të vëmendjes numrin e viktimave civile, pas sulmeve të fundit amerikane në territorin iranian.

Ministri iranian i Shëndetësisë deklaroi se 18 persona janë vrarë dhe 108 të tjerë janë plagosur në sulmet amerikane të së martës mbrëma. Gjysmëhëna e Kuqe iraniane raportoi se katër prej viktimave u vranë gjatë një ceremonie dasme pranë brigjeve të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Sulmet kanë shkaktuar shqetësim të madh në të gjithë rajonin. Irani është kundërpërgjigjur me raketa dhe dronë ndaj objekteve që i cilëson si asete amerikane në Bahrein, Jordani, Kuvajt dhe Irak. Ushtria e Kuvajtit raportoi gjithashtu sulme të reja me raketa dhe dronë në orët e para të së enjtes, duke thënë se ato u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Situata ka alarmuar edhe Kombet e Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se është thellësisht i shqetësuar për raportimet mbi viktimat civile, veçanërisht për sulmin që dyshohet se goditi një ceremoni dasme në Iran.

OKB-ja ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake dhe ka rikujtuar se të gjitha palët duhet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare, përfshirë parimet e dallimit mes objektivave ushtarake dhe civilëve, proporcionalitetit dhe masave paraprake.

Sipas organizatës iraniane për të drejtat e njeriut HRANA, deri më 7 prill në Iran ishin dokumentuar 3,636 persona të vrarë, prej të cilëve 1,701 civilë. Këtyre shifrave tani u shtohen edhe viktimat e raportuara nga sulmet e fundit.

Nga ana amerikane, autoritetet kanë raportuar 18 pjesëtarë të ushtrisë të vrarë dhe më shumë se 750 të plagosur. Ushtria amerikane ka mohuar se synon civilët, duke deklaruar se forcat e saj nuk i godasin qëllimisht objektivat civile.

Incidenti në dasmë ka rikthyer ndërkohë në vëmendje edhe sulmin e mëparshëm në një shkollë në Minab, ku u raportuan 160 të vrarë, në mesin e tyre nxënëse. Pentagoni ende nuk ka publikuar një përfundim zyrtar mbi atë incident. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, sulmi mund të ketë qenë rezultat i përdorimit të të dhënave të vjetruara për përcaktimin e objektivit.

Ndërkohë, tensionet po ndikojnë edhe në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Irani ka kërcënuar tankerët që kalojnë nëpër ngushticë pa autorizimin e tij, duke shkaktuar një reduktim të ndjeshëm të trafikut.

Me rikthimin e luftimeve, shqetësimi kryesor mbetet mundësia e një përshkallëzimi edhe më të madh të konfliktit dhe rritja e numrit të viktimave civile në Iran dhe në të gjithë rajonin.

Shija e redaktorit

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Ekspozita “Ngjyrat e Lirisë” hapet në Prishtinë, arti në shërbim...

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka hapur sot në FLORI Gallery, në Prishtina Mall, ekspozitën “Ngjyrat e Lirisë”, një aktivitet artistik kushtuar luftës së...

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Të fundit nga rubrika