Policia e Kosovës ka zhvilluar dy operacione të ndara kundër trafikimit të narkotikëve në Pejë dhe Ferizaj, gjatë të cilave gjithsej janë sekuestruar mbi 16 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe janë arrestuar tre persona.
Sipas Policisë, operacioni i parë është zhvilluar në Pejë, ku gjatë kontrollit të një lokacioni janë sekuestruar rreth 10.5 kilogramë marihuanë, një telefon mobil dhe një kartelë memorieje.
Në këtë rast është arrestuar një person, ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa një person tjetër i dyshuar ndodhet në arrati.
Operacioni i dytë është zhvilluar në Ferizaj, pas një pune operative dhe hetimore nga Policia. Aty janë arrestuar dy persona, një shtetas i Shqipërisë dhe një shtetas i Kosovës.
Gjatë bastisjeve në Ferizaj janë sekuestruar rreth 5.5 kilogramë substancë e dyshuar narkotike, një armë zjarri me fishekë, 2 mijë e 250 euro dhe 18 mijë e 500 lekë, si dhe një veturë.
Policia ka sekuestruar gjithashtu pajisje për paketimin e narkotikëve, telefona mobilë dhe prova të tjera materiale që lidhen me rastin.
Me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit në Ferizaj janë ndaluar për 48 orë.
Sekuestrohen rreth 10.5 kilogramë marihuanë në Nabërgjan të Pejës, arrestohet një person