Një person është arrestuar të enjten në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Arrestimi i R.K. është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me rastin e krimeve të luftës në këtë komunë.
Sipas njoftimit të PSRK-së, arrestimin e ka realizuar Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale pritet të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
PSRK-ja, në koordinim me hetuesit policorë, ka bërë të ditur se do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të angazhuara në hetimin dhe ndjekjen penale të personave të dyshuar për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.