Avokati Tomë Gashi ka komentuar caktimin e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për 9 shtator, duke thënë se PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar vazhdimisht caktimin e seancës, ndërsa tani po e kundërshtojnë atë si antikushtetuese.
Gashi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se 9 shtatori mund të sjellë përparim në procesin e konstituimit të institucioneve, pavarësisht paqartësive juridike.
Sipas tij, PDK-ja dhe Aleanca e kanë pasur mundësinë që gjatë 30 ditëve ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, nëse kanë konsideruar se procesi ishte në kundërshtim me Kushtetutën.
“Besoj se më 9 shtator ka edhe hajr dhe besoj që e gjitha kjo situatë që është e paqartë juridikisht – sido që të jetë tani kemi dy parti politike, PDK-në dhe Aleancën, që shkojnë cdo të dytën ditë në parlamentin dhe kërkojnë caktimin e seancës konstituive dhe në momëntin që kjo kërkesë u plotësohet dhe caktohet vazhdimi i saj më 9 shtator, ata dalin e thonë se është jashtë kushtetuese – adresën e dinë që ta dërgojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese dhe këtë kanë pasur mundësi prej 30 ditësh me bë këtë dhe nuk e kanë bërë”, u shpreh Gashi.
Megjithatë, Gashi ka kritikuar kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e tyre.
“Sigurisht se zotëri Dehari nuk e bënë këtë krye në vete por qëndrim politik i kryetarit të Vetëvendosjes ku duhej kohë shtesë dhe kjo kohë shtesë ka dhënë rezultate ku ka dalë kandidati konsensual, Bekim Sejdiu, është “gjete” dhe është i pranuar nga të dy partitë politike dhe problemi tjetër është kur arriti ky rezultat i mirë për gjithë ne dhe shtetin e Kosovës del se gjashtë deputetë janë kundër dhe ata ose kanë ndonjë agjendë ose çfarëdo lloj arsye që me dalë kundër partisë së vetë. Mirëpo, si është e mundur që t’i kërkojnë formimin e institucioneve dhe PDK-ja e Aleanca nuk duan të marrin pjesë fare, kjo është e pakuptimtë për ata që duan vendin dhe shtetin”, u shpreh Gashi.
