Avokatët Emrush Kastrati dhe Arbër Jashari e kanë vlerësuar si një hap të rëndësishëm për drejtësinë ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 35 personave për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Skenderajt.
Kastrati, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se secila aktakuzë për krimet e luftës në Kosovë ka rëndësinë e vet, por ka veçuar aktakuzën e ngritur sot.
Ai tha se aktakuza ishte paralajmëruar prej kohësh, ndërsa përgëzoi Prokurorinë Speciale për ngritjen e saj.
“Çdo aktakuzë e ngritur për krimet e luftës në Kosovë e ka peshën dhe rëndësinë e vetë për të gjykuar krimet e luftës që kanë ndodhur nga forcat serbe më 1998-1999. Por, do të veçoja dy nga aktakuzat edhe pse secila e ka peshën e vetë, aktakuza e sotme është më e rëndësishmja dhe më e veçanta ngase kjo aktakuzë konkretizon dhe akuzon së paku 35 persona e të cilët janë komandantët kyç të njësive speciale serbe dhe është një ndër aktakuzat më të veçanta. Është përfol se kjo aktakuzë shumë shpejt do të ngritët dhe sot u zyrtarizua dhe e përgëzojë Prokurorinë Speciale për këtë gjë”, u shpreh Kastrati.
Në të njëjtën linjë, avokati Arbër Jashari e ka cilësuar aktakuzën si të rëndësishme për drejtësinë, pavarësisht vështirësive që mund të paraqiten për sigurimin e pranisë së të akuzuarve në procesin gjyqësor.
Ai ka thënë se aktakuza vjen në vazhdën e disa aktakuzave të ngritura për krimet e luftës dhe, sipas tij, tregon seriozitetin e organeve të drejtësisë në trajtimin e këtyre rasteve.
Sipas tij, krimet e kryera gjatë luftës tashmë janë individualizuar përmes emrave të personave të dyshuar dhe, pavarësisht rrjedhës së procesit gjyqësor, ata nuk do të mund t’i shmangen përgjegjësisë morale.
“Është një aktakuzë e madhe në aspektin e drejtësisë dhe është shumë e rëndësishme pavarësisht se a sigurohet prania e këtyre njerëzve në proces është e rëndësishme që shteti i Kosovës e ka kryer një pjesë së punës së tyre me ndërgjegje dhe në një far forme i dalin hakesh borxhit moral të viktimave të luftës, në këtë rast viktimave të lagjës, Jashari. Mendoj që kjo është dhe po vjen në vazhdën e disa aktakuzave që janë ngritur deri tani dhe shpërfaqë një seriozitet dhe punë për tu admiruar të organeve ligj-zbatuese përkatësisht të Prokurorisë Speciale dhe ne e dimë që regjimi serb i ka bërë ato krime tash sa herë t’i përmendim këto masakra janë individualizuar dhe janë njerëz me emra e mbiemra. Pa marr parasysh se si të shkojë procesi këta njerëz nuk do të gjejnë qetësi për sa të kenë jetë dhe Kosova do të mundohet maksimalisht që të sigurojë praninë e tyre në procesin gjyqësor”, u shpreh Jashari.