Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka deklaruar se dy datat e rëndësishme për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 12 dhe 16 shtatori, duhet ta bashkojnë skenën politike dhe qytetarët e Kosovës.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Behrami ka thënë se gjashtë vitet e procesit gjyqësor në Hagë kanë qenë të rënda jo vetëm për ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre, por edhe për qytetarët e Kosovës.
Ai ka shprehur frikën për verdiktin përfundimtar, por njëkohësisht ka thënë se entuziazmi për një vendim të pafajësisë është i madh.
“Pothuajse gjashtë vitet e fundit kanë qenë tepër të rënda jo vetëm për krerët e UÇK-së, për familjet e tyre, për bashkëpunëtorët e tyre, po kanë qenë shumë të rënda edhe për qytetarët e Kosovës, të cilët në lëkurën e tyre e kanë përjetuar padrejtësinë sistematike që ka prodhuar Gjykata Speciale gjatë gjykimit kundër krerëve të UÇK-së.
I gjithë procesi ka qenë një proces politik, ka qenë përplot shkelje flagrante të normave ndërkombëtare, të drejtësisë ndërkombëtare, të kushtetutës, të ligjeve, të praktikave gjyqësore dhe natyrisht që frika është tepër e madhe, sepse kjo gjykatë që nga fillimi e ka krijuar një proces në të cilin duhet patjetër dhe me çdo kusht e në çdo formë të dënohen krerët e UÇK-së. Prandaj frika është e madhe, po në anën tjetër edhe entuziazmi për fitore është shumë i madh. Dhe këtë po e shohim çdo ditë në komunikim që e kemi me qytetarët e Kosovës, të cilët më 12 shtator do të mblidhen në Prishtinë për të shprehur edhe një herë mbështetjen për krerët e UÇK-së dhe për t’ju thënë që qytetarët e Kosovës në emrin e tyre i shpallin të tërët të pafajshëm”, tha ai.
Behrami ka thënë se mobilizim të madh pret edhe më 16 shtator në Hagë, duke theksuar se diaspora është duke u organizuar për të qenë pranë ish-krerëve të UÇK-së.
“Dhe manifestimi tjetër patjetër do të jetë më 16-in, ai do të mbahet në Hagë. Ka një mobilizim shumë të madh të diasporës, për çka jam shumë shumë mirënjohës për çdokënd që është në diasporë. Me kaq shumë entuziazëm janë duke e pritur 16-in dhe më 16 ne presim edhe një përmirësim të këtij procesi të padrejtë. Dhe është në dorën e trupit gjykues që këto gjashtë vjet padrejtësi t’i shndërrojë në fitore të drejtësisë ndërkombëtare më 16 në Hagë, sepse është po ashtu në dorën e tyre nëse 16-i do të jetë një ditë feste për drejtësinë ndërkombëtare apo do të jetë dita më e zymtë në historinë e njerëzimit si një ditë e padrejtësisë ndërkombëtare dhe e protestave të pandalshme”, u shpreh Behrami.
I pyetur nëse më 12 shtator duhet të ketë një mobilizim institucional dhe politik të të gjitha partive, Behrami ka thënë se këto data duhet të shërbejnë si pikë bashkimi.
“Po patjetër. Mendoj që edhe 12 shtatori edhe 16 shtatori nuk duhet me na ndarë. Dhe janë dy gjëra që për momentin e bashkojnë skenën politike: është qielli dhe është Gjykata Speciale, dhe kjo duhet të na bashkojë. Nuk është atje Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duke përfaqësuar vetveten apo parti politike. Ata janë atje për me mbrojtur lirinë e Kosovës, luftën e Kosovës, Republikën e Kosovës. Prandaj këto dy data duhet me na bashkuar”, tha Behrami për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se pret pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në marshin e 12 shtatorit, duke kërkuar që këto dy data të mos shfrytëzohen për përçarje politike.
“Dhe natyrisht që të gjitha partitë politike, njëjtë si në marshat e tjerë, unë besoj që do të jenë prezentë edhe deputetë, edhe përfaqësues, edhe simpatizantë. Dhe këto dy data nuk duhet me na ndarë. Në këto dy data ne nuk duhet të krijojmë përçarje e as argumentime politike, por duhet të jenë data të bashkimit dhe më 16 të jetë edhe një datë e festës së madhe të kthimit të krerëve të UÇK-së në Kosovë”, thotë ai.
Sa i përket qëndrimit të institucioneve të Kosovës, Behrami ka thënë se pret deklarata në mbështetje të marshit dhe të ish-krerëve të UÇK-së.
“Po unë pres që deklaratat e të gjithë përfaqësuesve institucionalë në Republikën e Kosovës do të jenë në mbështetje të 12-shit dhe 16-shit. Ne kemi parë që edhe komunat nga partitë e tjera edhe PDK, edhe LDK, edhe Aleanca, edhe Vetëvendosje janë duke mobilizuar qytetarët që të jenë të pranishëm më 12-tin dhe po ashtu që të presin më 16-tin me dinjitet ditën kur krerët e UÇK-së ne besojmë dhe shpresojmë që të shpallen të pafajshëm”, u shpreh Behrami.
Behrami është pyetur edhe për mundësinë e një verdikti jo në favor të ish-krerëve të UÇK-së dhe nëse një vendim i tillë do të mund të pasohej me reagime të reja politike apo protesta.
Ai ka thënë se një vendim i tillë do të mund të shkaktonte reagim të madh, duke e lidhur këtë me atë që e cilëson si padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Po unë mendoj që me atë çka kam parë këtë gjashtë vjet, padrejtësia është shumë e thellë. Dhe nëse diçka i ka lëvizur shqiptarët historikisht, nëse diçka i ka mobilizuar shqiptarët historikisht, ka qenë padrejtësia. Dhe unë mendoj që në këtë vend, kjo Kosovë kështu si është, nuk mundet me mbajtur, nuk mundet me duruar një padrejtësi të tillë”, u shpreh tutje ai.
Behrami ka thënë se shpreson që një skenar i tillë të mos ndodhë dhe se 16 shtatori të shënojë kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë dhe te familjet e tyre.
“Dhe në komunikim që kam qenë me plot qytetarë, me veteranë, unë besoj që një reagim i tillë do të jetë tepër i madh. Por unë shpresoj dhe besoj që nuk do të vijë deri aty. Unë besoj dhe shpresoj që 16-i të jetë një festë për Kosovën dhe të jetë një ditë e kthimit të krerëve të UÇK-së në familjet e tyre dhe në vendin e tyre që aq shumë i dëshiron”, tha Behrami.
Platforma qytetare “Liria ka Emër”, më 12 shtator në Prishtinë organizon Marshin për Liri nën moton: KOSOVA PO PRET.
Ky marsh do të mbahet katër ditë para se të merret verdikti nga Dhomat e Specializuara në Hagë, për themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.