Me dhjetëra hektarë tokë të shkrumbuara totalisht nga flakët, qindra rrënjë ullinj të djegur dhe banesa të shkrumbuara totalisht.
Është kjo pamja mëngjesin e kësaj të shtune në Himarë, pas një nate në luftë me flakët që përfshinë kodrat pranë bypass-it dhe u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë.
Nga të dhënat e deritanishme raportohen se nga zjarri janë gjashtë shtëpi të konfirmuara të djegura, tri të banuara dhe tri të pabanuara.

Nga zjarri u rrezikuan edhe rreth 40 banesa të tjera, ndërsa flakët përfshinë edhe sipërfaqe me pemëtari.

Me zbardhjen e ditës ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri, paralelisht me operacionin që vijon në terren. Forcat e angazhuara po përqendrohen tashmë në izolimin e vatrave të mbetura dhe shmangien e riaktivizimit të tyre./A2CNN