I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, kanë mbërritur të shtunën në Moskë, ku pritet të shqyrtojnë mundësitë për përfundimin e luftës në Ukrainë, tashmë në vitin e pestë.
Në aeroportin Vnukovo ata janë pritur nga Kirill Dmitriev, përfaqësuesi special i presidentit rus Vladimir Putin. Sipas mediave shtetërore ruse, Putin pritet të takohet me delegacionin amerikan më vonë gjatë së shtunës.
Pas vizitës në kryeqytetin rus, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Kievit, në vizitën e tyre të parë në kryeqytetin ukrainas.
Në kohën kur dy zyrtarët amerikanë mbërritën në Moskë, Kremlini njoftoi se Putin ka dhënë udhëzime që të mos kryhen sulme ndaj Kievit për tre ditët e ardhshme, duke nisur nga mesnata e së shtunës.
Misioni amerikan zhvillohet në një kohë kur kryeqyteti ukrainas është përballur me sulme pothuajse të vazhdueshme me raketa dhe dronë rusë. Të premten, një sulm goditi drejtpërdrejt selinë e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, SBU, në Kiev.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se mungesa e madhe e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore e ka lënë Ukrainën të cenueshme ndaj sulmeve me raketa balistike.
Presidenti Trump i cilësoi Witkoff dhe Kushner si “negociatorë të mëdhenj” në Shtëpinë e Bardhë të premten.
“Ata po sjellin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”, tha Trump, duke shtuar se “mund të ketë një shans të mirë që ta arrijmë”.
Megjithatë, zyrtarët rusë kanë sinjalizuar se Moska nuk është e gatshme të bëjë kompromise.
“Administrata amerikane duhet të marrë parasysh realitetet në terren sa i përket zgjidhjes së çështjes ukrainase, ku situata po ndryshon jo në favor të Kievit”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov për agjencinë shtetërore ruse TASS.
Ryabkov la të kuptohet se Ukraina po përballet me vështirësi në fushëbetejë dhe se Shtetet e Bashkuara duhet ta marrin parasysh këtë realitet.
Ndërkohë, një brez qytetesh të rëndësishme industriale në rajonin lindor të Donetskut po përballet me kërcënim në rritje nga forcat ruse, të cilat kanë avancuar gradualisht gjatë muajve të fundit.
Zelensky ka mirëpritur vizitën e planifikuar të Witkoff dhe Kushner në Kiev të dielën.
“Qëllimi ynë është që vizita dhe negociatat me palën amerikane të jenë sa më konstruktive dhe përmbajtësore. Duhet të kërkojmë mundësi realiste se si t’i japim fund kësaj lufte”, tha Zelensky të premten.