Një ndërtesë banimi pesëkatëshe është shembur të dielën në lagjen Satya Niketan, në jugperëndim të Delhit, ndërsa dhjetëra persona, kryesisht studentë, dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Sipas dëshmitarëve, deri në 50 persona ndodheshin brenda ndërtesës kur ajo u shemb rreth orës 13:30 sipas kohës lokale.
Të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë ndodhen në gjendje kritike, raportoi televizioni indian NDTV, duke iu referuar policisë lokale. Deri tani, gjashtë persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat.
Në bodrumin e ndërtesës, ku ndodhej hosteli “Hostel Daze”, po zhvilloheshin punime ndërtimore. Objekti ndodhet pranë kampusit të Universitetit të Delhit dhe besohet se shumë prej studentëve ishin në dhomat e tyre në momentin e shembjes, pasi të dielën nuk kishte mësim.
Një deputet i Asamblesë Legjislative të Delhit, i cili ndodhej në vendngjarje, tha se disa prej personave të bllokuar kishin arritur të telefononin nga poshtë rrënojave.
Dëshmitarët kanë raportuar gjithashtu se një ndërtesë tjetër pranë hostelit është dëmtuar dhe shembur. Kryeministrja e Delhit, Rekha Gupta, tha se ndërtesa ngjitur ishte evakuuar si masë paraprake.
“Po bëhet çdo përpjekje e mundshme për të shpëtuar në mënyrë të sigurt personat e bllokuar”, tha Gupta.
Policia e Delhit ka bërë të ditur se ndërtesa ishte ndërtuar rreth 40 deri në 50 vjet më parë.
Pronari i një dyqani pranë ndërtesës i tha agjencisë së lajmeve ANI se objekti ishte marrë me qira për 100 vjet dhe se qiramarrësi kishte kryer gërmime në bodrum për të rritur të ardhurat.
“Ata e forcuan pjesën e sipërme të ndërtesës, por shtyllat poshtë ishin të dobëta”, tha ai, duke shtuar se edhe punëtorët që po kryenin punimet dyshohet se janë zënë nën rrënoja.
Unioni Kombëtar i Studentëve të Indisë ka kërkuar nga qeveria që të hetojë shkaqet e shembjes dhe të mbajë përgjegjës çdo person që konstatohet se ka vepruar me neglizhencë.
“Neglizhenca ndaj sigurisë së studentëve dhe qytetarëve nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë”, tha organizata.
Ndërkohë, policia është në kërkim të pronarit të ndërtesës, raportoi “Times of India”.
Ekipet e shpëtimit dhe autoritetet lokale po vazhdojnë kërkimet nën rrënoja për të gjetur personat që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar./BBC