Mbi 150 mijë pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në Indonezi, pasi shpërthimi i një vullkani detyroi autoritetet të pezullojnë përkohësisht operimet në tetë aeroporte.
Aeroporti Ndërkombëtar “Soekarno-Hatta” në Xhakartë ishte i pari që u mbyll të dielën në mëngjes, pasi hiri vullkanik u zbulua në hapësirën ajrore pranë aeroportit.
Ministri i Transportit, Dudy Purwagandhi, tha se deri tani janë prekur 712 fluturime, ndërsa u kërkoi kompanive ajrore të shqyrtojnë mundësinë e devijimit të disa fluturimeve drejt aeroporteve të tjera.
Vullkani kishte nisur të shpërthente vonë të premten, duke shkaktuar aktivitet të vazhdueshëm sizmik, burime lave dhe shpërthime të fuqishme që janë dëgjuar në rajonet përreth. Autoritetet njoftuan se edhe dy shpërthime të tjera ndodhën herët të dielën.
Ministria e Transportit bëri të ditur se pezullimi i fluturimeve ka prekur kryesisht linjat drejt dhe nga Singapori, por edhe disa destinacione të tjera ndërkombëtare, përfshirë Dohën, Sidnein dhe Kuala Lumpurin.
Sipas ministrit Purwagandhi, vendimi për mbylljen e përkohshme të aeroporteve të tjera u mor pasi testet treguan se hiri vullkanik ishte përhapur në drejtim të Java-s Perëndimore.
Ai u bëri thirrje kompanive ajrore që të përshpejtojnë procesin e rimbursimit të biletave për pasagjerët, fluturimet e të cilëve janë anuluar.
Po ashtu, kompanive iu kërkua që t’u ofrojnë pasagjerëve informacion në kohë për fluturimet e ardhshme, me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe mbingarkesës në aeroporte.