Lufta me Iranin ka gjasa të zgjasë edhe gjashtë muaj, paralajmëron ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, ka paralajmëruar se konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të zgjasë edhe gjashtë muaj, duke e cilësuar situatën aktuale si një ngërç pa një zgjidhje të qartë në horizont.

Në një intervistë për The Guardian, Panetta, i cili më herët ka drejtuar edhe CIA-n, tha se SHBA-ja dhe Irani ndodhen në një “ngërç të tmerrshëm”, ndërsa mundësitë për t’i dhënë fund konfliktit janë të kufizuara.

“Besoj se ka shumë gjasa që kjo luftë të vazhdojë edhe për gjashtë muaj të tjerë pa u zgjidhur”, tha Panetta.

Sipas tij, konflikti rrezikon të shndërrohet në një tjetër “luftë të pafundme” në Lindjen e Mesme, të ngjashme me luftërat në Irak dhe Afganistan.

Panetta shprehu gjithashtu shqetësim për situatën brenda Pentagonit, duke iu referuar tensioneve në strukturën komanduese dhe dorëheqjes së Sekretarit të Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll.

“Ushtarët amerikanë po shkojnë në luftë në një kohë kur ka një trazirë të madhe në Pentagon dhe në strukturën komanduese, gjë që krijon ndjesinë se askush nuk është në krye”, tha ai.

Ai paralajmëroi se kjo situatë mund t’u dërgojë një mesazh dobësie kundërshtarëve kryesorë të SHBA-së, duke përmendur Kinën, Rusinë, Korenë e Veriut, terrorizmin dhe Iranin.

Pentagoni i ka kundërshtuar këto vlerësime. Zëdhënësi kryesor i Departamentit të Mbrojtjes, Sean Parnell, tha se pretendimi se institucioni është në kaos është “plotësisht i pabazë”.

Sipas Panettës, presidenti amerikan Donald Trump ka aktualisht tri mundësi.

E para është të tërhiqet nga konflikti dhe të pranojë se lufta ka dështuar, gjë që Panetta e konsideron të vështirë për t’u bërë nga Trump.

E dyta është që konflikti të vazhdojë në formën e një ngërçi, me sulme të herëpashershme nga të dyja palët, pa kaluar në një luftë edhe më të madhe.

Mundësia e tretë, sipas tij, është që SHBA-ja të marrë kontrollin e ngushticës së Hormuzit dhe të largojë atë që ai e konsideron si “pikën më të rëndësishme të presionit” të Iranit ndaj SHBA-së dhe tregtisë globale.

Panetta tha se konflikti mund të konsiderohet i fitueshëm për SHBA-në vetëm nëse ndryshon ndjeshëm qasja e Uashingtonit dhe objektivi kryesor bëhet rihapja e ngushticës së Hormuzit.

Ai kritikoi gjithashtu Trumpin për deklaratat e përsëritura se një marrëveshje për përfundimin e luftës është pranë dhe se ngushtica e Hormuzit është e hapur, duke thënë se këto deklarata kanë dëmtuar besueshmërinë e presidentit amerikan.

Ndërkohë, nënpresidenti amerikan JD Vance tha këtë javë se nuk do ta përshkruante situatën aktuale me Iranin si “luftë”. I pyetur nëse pret që konflikti të përfundojë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, në nëntor, Vance tha se nuk e di përgjigjen dhe se kjo duhet pyetur iranianët, raporton The Guardian.

Panetta tha gjithashtu se shumë amerikanë kanë humbur besimin në aftësinë e Trumpit për ta menaxhuar konfliktin me Iranin. Ai iu referua sondazheve të fundit, të cilat tregojnë se një shumicë e amerikanëve e konsiderojnë konfliktin me Iranin si gabim dhe janë kundër vazhdimit të tij.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika