Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë duke i liruar nga akuzat për korrupsion ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ish-ministrin Bajram Hasani, dhe Bashkim Krasniqin e Malë Krasniqin.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 korrik 2024 ish-kryetarin Begaj dhe ish-ministrin Hasani i kishte dënuar me nga 2 vite e 6 muaj burgim, kurse Bashkim e Malë Krasniqin i ka dënuar me nga 2 vite burgim, lidhur me akuzën për keqpërdorime rreth Zonës Ekonomike të Malishevës. Kurse, Hajdin Berisha, Faton Thaqi, Ahmet Rrahmanaj dhe Nazimi Kafexholli, ishin liruar nga akuza, raportoi “Betimi për Drejtësi.
“…të njëjtit i ka liruar nga akuza, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje”, thuhet në njoftim.
Apeli bën të ditur se me rastin e ankesës së Prokurorisë Speciale dhe sipas detyrës zyrtare, e ka ndryshuar aktgjykimin edhe në pjesën që ka të bëjë me tani të ndjerin Hajdin Berisha, duke e pushuar procedurën penale ndaj tij për shkak të vdekjes.
Ndërsa, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe e ka vërtetuar aktgjykimin në pjesën liruese në raport me të akuzuarit Faton Thaqi, Malë Krasniqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj, kurse pjesa e ankesës në raport me tani të ndjerin Hajdin Berisha ka mbetur pa objekt.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmani.
Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
Ata ngarkoheshin se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë.