Në pamje të parë kjo skenë ngjason me një film të frikshëm.
Por në fakt, në mesin e krejt këtij tmerri, një kat më lartë jetonin dy familje të nacionalitetit serb.
Ky objekt, që sipas kryetarit të komunës së Obiliqit, para luftës ishte shkollë teknike, ishte uzurpuar nga këto familje.
“Deri në vitin 1990 nxansat tonë kanë mbajtur mësim në këtë objekt, nga viti 1990 kur masat e dhunshme të shtetit kriminal serb na i kanë dëbuar nxënësit nga shkolla kjo shkollë ka qenë e përdorur e keqpërdorur prej individëve të ndryshëm ne me ardhjen në qeverisje kemi premtuar se do e kthejmë në funksionin që kishte dikur”, deklaroi kryetari i Obiliqit, Halil Thaqi.
Thaqi, tutje thotë se dyshimet tashmë janë se bodrumi i këtij objekti ishte shfrytëzuar si laborator për substanca narkotike.
“Para dy muajve ne kemi hasur në ambulantë të fshehur nga strukturat paralele serbe gjë të cilën e kemi informuar dhe njoftuar policinë dhe prokurorinë dhe natyrosht se dje kemi hasur në disa gjë sende shumë të dyshimta për ne që puntorët tanë të ndërmarerrjes kastrioti nuk kanë mundut të e vazhdojnë punën, sipas policëve dhe antidrogës shihet se është tentim i një kultivimi të substancave narkotike”, u shpreh ai.
Nga Policia e Kosovës nuk konfirmuan asgjë zyrtarisht por thanë se janë duke u marr me rastin.
“Ajo që mund tu themi jemi në sigurimin e vendit të ngjarjes ekipet përkatëse lidhur me dyshimet e pretendimet e dyshuara do të dalin në një konstatim dhe nuk është përfunduar ende gjurmimi dhe ekzaminimi i ngjarjes”, u shpreh Faton Hashani, Shef i Operativës së Policisë në Obiliq.
Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje sa i përket dyshimeve në këtë objekt, ndërkohë që zyrtarët komunal paralajmëruan renovimin e saj dhe kthimin e sërishëm në shkollë.