Bosnja dëbon dy diplomatë serbë dhe tërheq stafin nga ambasada në Beograd

Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka njoftuar të martën se dy zyrtarë të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë janë shpallur persona të padëshiruar dhe kanë 48 orë afat për ta lënë territorin e Bosnjë-Hercegovinës.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të dytën brenda dy ditësh, Konakoviq tha se vendimi është marrë në përputhje me rregulloren për shpalljen e personave të padëshiruar.

Bëhet fjalë për Milan Dulanoviqin, atashe ushtarak në Ambasadën e Serbisë, dhe Darko Maksimoviqin, këshilltar të përfaqësuesit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) në këtë ambasadë.

“Këta dy persona kanë afat prej 48 orësh për ta lënë Bosnjë-Hercegovinën”, deklaroi Konakoviq, duke bërë të ditur se kartat e tyre diplomatike do të anulohen.

“Janë dëbuar nga Bosnjë-Hercegovina në përputhje me kompetencat që kemi dhe u bëjmë thirrje që t’i respektojnë rreptësisht rregullat e shtetit tonë”, tha ai.

Konakoviq: Mund të rishikojmë numrin e diplomatëve serbë

Kryediplomati boshnjak njoftoi gjithashtu se po shqyrtohet mundësia e rishikimit të numrit të diplomatëve dhe stafit të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë.

Sipas tij, një prej çështjeve që ka ndikuar në qëndrimin e autoriteteve boshnjake është edhe një fotografi me mbishkrimin “Pravac Potoçari”, në referencë të zhvillimeve të fundit në Serbi.

“Është më mirë që njerëzit tanë të mos ndalen në një Beograd të tillë, në një Serbi të tillë dhe te një Vuçiq i tillë. Po e zvogëlojmë numrin e njerëzve tanë në ambasadë atje”, deklaroi Konakoviq.

Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është organizatori i zhvillimeve që, sipas tij, kanë ndodhur ditëve të fundit në Serbi, përfshirë edhe mesazhet kontroverse të shfaqura gjatë ndeshjes ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Partizanit.

Bosnjë-Hercegovina tërheq stafin nga ambasada në Beograd

Konakoviq njoftoi gjithashtu se do të tërheqë të gjithë stafin e Ambasadës së Bosnjë-Hercegovinës në Beograd, me përjashtim të ambasadorit dhe konsullit.

Ai sqaroi se nuk ka autoritet për t’i tërhequr ambasadorin dhe konsullin, pasi këta emërohen nga Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës.

Sipas tij, detyrat e stafit të tërhequr do të kryhen në të ardhmen nga punonjësit e ambasadave të Bosnjë-Hercegovinës në Mal të Zi dhe Kroaci.

Ky vendim, sipas Konakoviqit, vjen pas funeralit të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, i cili u mbajt të martën në Beograd dhe ku morën pjesë zyrtarë të shumtë nga Serbia, si dhe disa persona nga Bosnjë-Hercegovina.

Konakoviq tha se glorifikimi i Mlladiqit dhe krimeve të tij është shfaqur edhe përmes aktiviteteve publike dhe mesazheve të fundit në Serbi.

“Kulmi ishte mbrëmë në ndeshjen e Yllit të Kuq me mesazhin ‘Drejt Potoçarit’. Kjo është kambana e fundit e alarmit”, tha ai.

Ministri boshnjak deklaroi se, nëse do të kishte kompetencë, do t’i ndërpriste menjëherë marrëdhëniet diplomatike me Serbinë.

“Nëse do të mundja, do t’i ndërprisja menjëherë marrëdhëniet diplomatike me Serbinë sot. Ajo që mund të bëj është t’i zvogëloj marrëdhëniet në minimumin e mundshëm. Do ta zvogëloj të gjithë komunikimin me ta. Do t’i tërheqim të gjithë njerëzit që mund të tërheqim, do t’i transferojmë çështjet konsullore në Zagreb dhe Podgoricë”, tha Konakoviq.

Ai shtoi se synimi është që marrëdhëniet me Serbinë të reduktohen në minimumin e mundshëm, ndërsa çështjet konsullore të trajtohen nga ambasadat në Zagreb dhe Podgoricë.

Konakoviq kritikon BE-në

Duke folur për reagimin e Bashkimit Evropian, Konakoviq tha se e vlerëson faktin që BE-ja e ka korrigjuar deklaratën e saj të parë, por konsideron se edhe deklarata e dytë nuk është mjaftueshëm e qartë.

Ai tha se ka përgatitur disa nota diplomatike lidhur me zhvillimet e fundit dhe se do të kërkojë nga BE-ja që të sqarojë qëndrimin e saj.

“Kemi bërë disa drafte sot, po dërgojmë letra njëra pas tjetrës, me mesazhe të ndryshme. Së pari, po i kërkoj publikisht BE-së: A i respektoni vërtet parimet tuaja? A po e mbroni atë që na keni detyruar të ndjekim?”, tha ai.

Konakoviq e cilësoi këtë si një çështje të rëndësishme të politikës së sigurisë për Bosnjë-Hercegovinën, duke paralajmëruar një sërë bisedash telefonike dhe vizitash diplomatike.

Ai tha se Bosnjë-Hercegovina do t’u drejtohet edhe vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike.

Sipas tij, përfaqësuesit me të cilët ka komunikuar kanë vlerësuar se diplomacia e Vuçiqit ka qenë aktive për vite me radhë në promovimin e narrativës së Serbisë, ndërsa diplomacia boshnjake ka qenë më pasive në prezantimin e qëndrimit të saj.

“Do t’u shpjegojmë atyre se kjo gënjeshtër ishte një mashtrim”, tha Konakoviq.

Në fund, ministri boshnjak njoftoi se Bosnjë-Hercegovina ka tërhequr pëlqimin për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal.

“Deklarata duhej të nënshkruhej në Mal të Zi më 1 tetor. Ne e kemi tërhequr pëlqimin. Deklarata të tilla nuk do t’i nënshkruajmë përderisa kemi një Serbi të tillë të viteve ’90, të cilën po e shohim këto ditë”, tha Konakoviq.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika