“Agjent i UDB-së dhe armik i çështjes kombëtare”: Çfarë shkruante Sigurimi i Shtetit shqiptar për Novosellën?

Bashkëpunimi mes Sabri Novosellës dhe Abdullah Prapashticës kishte nisur herët, por nuk do të zgjaste shumë.

Në episodin të “Dosjet”, në kuadër të emisionit “Debat Plus” në Dukagjin, rikthehen dëshmitë dhe dokumentet që hedhin dritë mbi marrëdhëniet mes dy veprimtarëve dhe përçarjet brenda emigracionit politik shqiptar.

Sipas Abdullah Prapashticës, dyshimet për infiltrimin e shërbimeve sekrete kishin nisur që në periudhën kur ai dhe Novosella vepronin në Adapazar të Turqisë.

Prapashtica pretendon se në dyqanin e Novosellës ishin vendosur pajisje përgjimi nga SDB-ja, shërbimi sekret jugosllav.

“Osmani është ai që ka shku e ka kërku me u taku dhe nuk ka pranu me u taku brenda rrobaqepësisë së tyre sepse aty kanë qenë mikrofonat e sigurimit. Po. Këtë rast ma ka tregu, Steva Boriqi. Steva Boriqi, dhe Bashkim Kursani kanë qenë në teknikën e përgjimeve dhe ata i kanë instaluar ata mikrofona aty”, thotë Prapashtica.

Novosella, megjithatë, thotë se dyshimet për përgjim i kishte pasur edhe vetë, por se nuk kishte arritur të gjente ndonjë pajisje në lokalin e tij.

“Ne na Ada Pazar, po ka mujt me pasë, unë e kam kontrollu, por unë nuk kam mujt me gjetë ndonjë gjë në dyqan timin, ka mujt dikush me futë ku me ditë”, thotë Novosella.

Përplasjet mes dy figurave do të thelloheshin me kalimin e kohës. Sipas Prapashticës, Novosella kishte ndryshime të theksuara në qëndrimet e tij dhe në disa raste kishte kundërshtuar edhe kërkesat për Republikën e Kosovës.

“Sabriu fillimisht ishte shumë i sjellshëm dhe i këndshëm për bisedë, mirëpo me kalimin e kohës ai eskalonte, kohë pas kohe eskalonte, dilte një person krejt tjetër, në 180 shkallë në anën e kundër e ndonjëhere edhe na akuzonte pse me organizu demostratat për Republikën e Kosovës, është dashtë me kërku bashkim me Shqipërinë dhe jo bashkim me krijimin e Republikës dhe bile ka ndodhë që mua më ka akuzu që është tradhti kërkesa për Republikë, në praninë e këtyre shokëve tjerë”, thotë Prapashtica.

Novosella, ndërkaq, e akuzon Prapashticën se kishte qenë pjesë e UDB-së, ndonëse thotë se nuk kishte pasur armiqësi personale me të.

“Po ta them të drejtën unë nuk kam dyshime në të dicka, por ai në UDB ka punu, UDB-ash ka qenë, por edhe këndej është marrë me aktivitet. Nuk kam ndonjë urrejtje ndaj tij personale, por bukur joserioz ka qenë. Edhe sot, nuk u ni për të mira, kështu që ka qenë”, thotë Novosella.

Sipas Prapashticës, një pikë kthese në marrëdhëniet mes tyre ishte edhe qëndrimi i tij në Shqipëri. Ai pretendon se pas largimit të tij drejt Tiranës, Novosella kishte nisur të fliste kundër grupit të tij.

“Tash unë e kam njoftuar që janë për rrugës për Tiranë, ndoshta dhe ky moment ka qenë një moment që e ka bërë një thyerje te ai. Sepse pas shkuarjes sime në Tiranë, ka filluar ai të flas kundër nesh. Përpara nuk ka pasë dukuri të tilla dhe ka filluar në Gjermani ajo punë. Kryesisht shpifjet e intigrat që janë shpërnda pastaj kanë qenë sa kam qenë unë në Shqipëri”, shprehet Prapashtica.

Novosella e shpjegon përplasjen përmes një tjetër këndvështrimi. Sipas tij, ndikimi i regjimit komunist shqiptar në emigracion kishte qenë një nga faktorët kryesorë të përçarjeve.

“Derisa ka qenë Enver Hoxha, gjithkund dora e enveristave ka depërtu. Një punë e ka pasë, me shkatërru, me kriju konflikte, me pasë probleme mes vete. Pse , na e kemi pasë shtetin amë, por udhëheqja e shteti amë ka qenë gjithmonë në shërbim të Beogradit, Moskës”, thotë Novosella.

Dy shërbime sekrete, dyshime të ndërsjella

Sipas dokumentarit, kundërshtimi i Novosellës ndaj regjimit të Enver Hoxhës dëshmohet edhe nga deklaratat e tij, por edhe nga dokumentet e Sigurimit të Shtetit shqiptar.

Një prej dokumenteve të publikuara në “Dosjet” tregon se, pasi Novosella ishte larguar nga Turqia, Sigurimi i Shtetit e kishte futur në përpunim aktiv, duke e konsideruar si agjent të UDB-së dhe kundërshtar të çështjes kombëtare shqiptare.

“Veprimtaria kryesore e tij është manifestuar në formën e agjitacionit e të propagandës armiqësore është përpjekur te denigroje e të zbehë në maksimum punën e ndihmën e PPSH për luftën e popullit të Kosovës etj. V E N D O SA : Qe Sabri Novosellën ta marre ne përpunim aktiv 2/A si agjent të UDB dhe si armik i çështjes se kombit shqiptar,duke bere edhe veprimet perkatëse në kartoteke. Novosella prej kohësh ishte i lidhur me ALOS-in dhe ishte vazhdimisht në kontakt me përfaqësuesit e misioneve diplomatike-konsullore shqiptare në Stamboll. Në korrik 1984, Novosella u largua nga Turqia dhe, përmes Austrisë dhe Zvicrës, kaloi në Republikën Federale të Gjermanisë”, thuhet në dokument.

Në dokumentet e SDB-së, ALOS përdorej si term për t’iu referuar Sigurimit të Shtetit shqiptar.

Kështu, sipas dokumentarit, krijohet një situatë e pazakontë: dy shërbime sekrete e shihnin Novosellën përmes dyshimit se ishte i lidhur me shërbimin e palës tjetër.

Sigurimi i Shtetit shqiptar e trajtonte si të dyshuar për lidhje me UDB-në, ndërsa shërbimi jugosllav e ndiqte edhe për dyshime për lidhje me strukturat e Sigurimit shqiptar.

Dokumentet e SDB-së, sipas “Dosjeve”, dëshmojnë se shërbimi jugosllav kishte burime të shumta informacioni brenda grupeve të emigracionit kosovar dhe ishte në dijeni edhe për përçarjet mes tyre.

Edhe dokumentet e Sigurimit të Shtetit shqiptar flasin për përçarjet brenda grupeve të emigracionit. Sipas burimeve të këtij shërbimi, Novosella paraqitej si një prej faktorëve që kishte ndikuar në përçarjen e grupeve ilegale shqiptare në Perëndim.

Novosella e kundërshton këtë version. Sipas tij, përgjegjësinë kryesore për përçarjen e emigracionit e kishte regjimi komunist shqiptar dhe veçanërisht ndikimi i ambasadave shqiptare.

“Tash emigracioni shqiptar, jo emigracioni i nacionalistëve shqiptarë por të kohës së Enver Hoxhës, ata kado ku je shku, kah je shku veprimtarët në dorë i kanë pasë ambasadat e Shqipërisë. Se unë kur kam dalë prej Turqisë me shku në Zvicër, me vazhdu aktivitetin, punën me shokët e Jusufit, që i ka lënë Jusufi aty. Ishin kurdis diplomatët e Enver Hoxhës, me largu, me parullën se siç u vra Jusuf Gëvralla dhe Bardhosh Gërvalla, është i rrezikuar me u vra edhe Sabri Novosella”, thotë Novosella.

 

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika