Osmani për sulmet e 11 shtatorit: Nuk u sulmua vetëm Amerika, por të gjithë ne që besojmë në vlerat e lirisë dhe demokracisë

Në nder të 21-vjetorit të sulmeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë homazhe te memoriali "Kosova kujton", nga Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti, zëvëndësambasadorja e SHBA-së, Grunder dhe Ministrja Gërvalla. Zëvëndësambasadorja ka falënderuar Kosovën për solidaritetin dhe është shprehur mirënjohëse për partneritetin në mes dy vendeve

(Nga e majta) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe zëvendësamabasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alyson Grunder në homazhe për nder të viktimave të 11 shtatorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësamabasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alyson Grunder, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, në nder të viktimave të 11 shtatorit të vitit 2001, në SHBA.

Pas homazheve, presidentja Osmani ka thënë se nga sulmi i 11 shtatorit nuk u sulmuan  vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por të gjithë që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë.

“Më 11 shtator 2001, shtetasit amerikanë, qytetarët e SHBA-së, u goditën nga një prej sulmeve terroriste më të tmerrshme në histori të njerëzimit. Por, atë ditë nuk u sulmua vetëm Amerika, u sulmuam të gjithë që besojmë në të njëjtat vlera. Në vlerat e lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani gjersa ka theksuar se qysh atëherë, populli i Kosovës çdo vit ka qëndruar me popullin amerikan, duke bashkuar forcat në mbrojtje të këtyre vlerave dhe luftës kundër terrorizimit.

“Do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku me miqtë e aleatët tanë në SHBA, ashtu siç ka qëndruar SHBA-ja pranë nesh në çdo moment”, ka thënë Osmani.

Më vonë të dielën, përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se 11 shtatori vazhdon t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së botës demokratike që të mobilizohet kundër të keqes së përgjithshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmi i 11 shtatorit ishte një sulm që ndryshoi botën.

Njëherësh, Kurti tha se SHBA-të kanë dëshmuar që janë një komb i lirë dhe i njerëzve të barabartë e që nuk bëjnë kompromisë me vlerat e tyre.

“Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan dhe SHBA-ja e dëshmoi edhe pas 11 shtatorit se është komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bën kompromis me vlerat e saj”, ka thënë Kurti.

Pjesë e homazheve në nder viktimave nga sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 ishte edhe zëvendësamabasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alyson Grunder. Gjersa ka thënë se është nderi i saj t’i përfaqësojë SHBA-të, ajo është shprehur mirënjohëse ndaj solidaritetit që Kosova ka treguar në 21-vjetorin e sulmeve në New York.

Ajo ka treguar se në Pejë do të mbahet një ceremoni përurimi për një shtyllë të dhuruar nga departamenti i zjarrfikësve të New Yorkut, të cilin e ka cilësuar si një simbol të lidhjes së fortë në mes Kosovës dhe SHBA-ve.

“Jemi me fat që kemi një partneritet kaq të qëndrueshëm me Kosovën”, ka thënë ajo.

Pjesë e homazheve ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

“Sot Republikë e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, qëndron partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën e përbashkët kundër terrorizmit. Qoftë e bekuar gjithmonë miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ajo në Facebook, më vonë të dielën.

Të dielën e 11 shtatorit janë shënuar 21 vjet nga sulmi i 19 individëve, përkatësisht, 15 nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Katër aeroplanë kryen sulme duke goditur Kullat Binjake në Nju Jork, Pentagonin në Uashington dhe një avion u rrëzua në Pensilvani. Nga ky sulm mbetën të vdekur afër 3 mijë persona.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika