Murati: Përkundër sfidave, ekonomia e vendit po tregon qëndrueshmëri

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se përkundër sfidave globale, ekonomia e vendit po tregon qëndrueshmëri. Kjo, sipas tij, vërehet në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend

Ministri Hekuran Murati





“Përkundër sfidave të vazhdueshme globale, ekonomia e vendit tonë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke vazhduar zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti”.

Kështu ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka theksuar se kjo vërehet në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend.

Murati i ka renditur disa nga masat dhe veprimet që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, të cilat sipas tij, çdoherë janë në shërbim të mbështetjes së ekonomisë e bizneseve për të rritur prodhimin, eksportet e punësimin.

“Si qeveri kemi zhvilluar fushatën e vaksinimit më efektiven në rajon, gjë që ka mundësuar heqjen më të shpejtë të kufizimeve dhe hapjen e tërësishme të ekonomisë”, ka shkruar Murati.

Skema e publikuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati lidhur me qarkullimin e bizneseve

Pos kësaj, ministri i këtij dikasteri ka potencuar se qeveria ka “subvencionuar çmimin e energjisë elektrike, gjë që mundëson bizneset tona të jenë më konkurrente dhe të rrisin eksportin”.

“Kemi mbështetur prodhuesit në zgjerimin e kapaciteteve të tyre, duke subvencionuar 20% të vlerës së kredisë investuese”, shtoi ai.

Murati ka thënë se edhe në bujqësi janë rritur subvencionet, duke trefishuar mbështetjen për grurin e duke rritur mbështetjen për produktet e kulturat e tjera.

Sipas Muratit, qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, më shumë se çdo qeveri tjetër ka miratuar e shpërndarë pako masash, në mbështetje të familjeve në nevojë dhe në mënyrë që të rritet fuqia e tyre blerëse.

Ndryshe, qytetarët po përballen me rritjen drastike të çmimeve, ashtu si edhe pjesa tjetër e botës.

Rritja e çmimeve është shndërruar në rrezikun kryesor për ekonominë botërore dhe padyshim atë kosovare, që mbetet e varur nga mallrat e importit.





Shija e redaktorit

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Të fundit nga rubrika