Emir Azemi, ish-zëndëskryesues për Komunitet në Mitrovicën e Veriut, ka folur për mosshtyrjen e vendimit të Qeverisë Kurti II, për targat e paligjshme “KM”. Ai ka thënë se Kurti mund ta bllokojë Mitrovicën e Veriut, por sipas tij, përsëri duhet të bisedojnë me serbët.

“Rrugët po na dërgojnë te ajo se do të ketë marrëveshje se nuk ke çare, s’ke ku shkon”, kështu ka deklaruar Azemi, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Azemi ka thënë se për t‘i ndryshuar targat nga “KM” në “RKS”, duhet të ketë një dakordim me Serbinë, siç ka pasur edhe më herët, pasi sipas tij, nëse presidenti i Serbisë bie dakord për t’i ndryshuar targat, ato menjëherë do të ndryshohen edhe nga serbët.

“Nëse ndodh edhe një barrikadim i serbëve, a ka me prodhuar edhe një kompromis të ri, siç na ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur barrikadimet kanë prodhuar marrëveshje”, ka deklaruar Azemi.

Sipas tij, askush nuk është duke e kontestuar se palët janë duke shkuar drejt një marrëveshjeje, sepse para disa ditësh, sipas tij, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për energjinë.

“Nuk e thotë logjika e as procesi në terren që nuk do të ketë një dakordim”, ka shtuar ai.