Analisti politik ka vlerësuar se çështja e një bashkëqeverisjeje të mundshme mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) përbën një situatë komplekse dhe me pasoja të dyanshme për LDK-në.
Sipas tij, çdo vendim i mundshëm i LDK-së në raport me LVV-në mund të kthehet në barrë politike, pavarësisht drejtimit që zgjidhet.
“Është thikë me dy teha për Lidhjen Demokratike të Kosovës. E njëjta kërkesë ka qenë edhe para zgjedhjeve dhe shkuam në zgjedhje pa një zgjidhje të qartë. Tani, nëse LDK futet në bashkëqeverisje, del se ajo ka qenë një nga faktorët që e çoi vendin në zgjedhje. Nëse nuk futet, atëherë perceptimi është se po e çon sërish vendin drejt zgjedhjeve”, është shprehur ai.
Sipas tij, ky pozicion e vendos LDK-në në një situatë të vështirë politike dhe e thellon edhe më shumë ndarjen e brendshme në parti.
“Ky është konflikti dhe përçarja më e madhe që po ndodh brenda LDK-së. Problemi është se Lëvizja Vetëvendosje ndihet jashtëzakonisht komode në këtë situatë dhe sipas të gjitha gjasave e ka parashikuar këtë zhvillim”, ka shtuar ai.
Ai thekson se brenda LDK-së ka pasur prej kohësh kundërshtime të forta ndaj bashkëpunimit me VV-në, duke përmendur figura si Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, ndërsa sipas tij, këtij grupi i janë bashkuar edhe të tjerë në heshtje.
“Në strukturat e LDK-së ka pasur kundërshtarë të hapur të VV-së, por tani atyre u janë bashkuar edhe të tjerë në mënyrë të heshtur. Problemi është se nuk po shohin një zgjidhje të qartë politike”, ka deklaruar ai.
Në fund, ai paralajmëron se nëse trendi aktual vazhdon, LDK mund të përballet me rënie të mëtejshme elektorale në zgjedhjet e ardhshme.
“Në zgjedhjet e ardhshme, LDK rrezikon të dalë edhe më poshtë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nëse nuk arrin të konsolidojë qëndrimet e saj politike”, ka përfunduar ai.