Nën ethet e sigurisë së brishtë e pa bërë bujë të madhe, kandidatët i kanë dhënë fund fushatës për zgjedhjet e së dielës në komunat veriore.

Por, fushatën e la në gjysmë të enjten njëri nga dy kandidatët serbë për kryetarë komunash.

Kreu i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq hoqi dorë nga gara për kryetar të Leposaviqit, bashkë me 20 kandidatët e partisë së tij për asamble komunale.

Por, Jabllanoviq vazhdon të mohojë që ky vendim ka ardhur si pasojë e ndonjë kërcënimi të Listës Serbe, partisë së dikurshme të tij.

“Unë nuk jam person që mund të më shtyp dikush e sidomos qyqanët e Listës Serbe. Nëse ata kishin dashur që të na shtyjnë neve atëherë do të kishte pasur një konotacion tjetër. Ne nuk u frikësohemi atyre dhe do të dëshiroja t’i shihnin në vendin ku e meritojnë për të gjitha veprimet që i kanë bërë deri më tani. Ata duhet të jenë në burg, janë kriminel të thjeshtë që i kanë uzurpuar barrikadat”, ka theksuar Aleksandar Jabllanoviq, Partia e Serbëve të Kosovës.

Vendimin e tij, Jabllanoviq e arsyeton me disa pakënaqësi që thotë se kanë pasur votuesit e tij me mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve në kontejnerë.

Mirëpo, për këtë situatë ai fajëson edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“KQZ-ja me vendimet e tyre në momentet e fundit na ka vendosur para aktit të kryer. Nuk jemi konsultuar për asgjë, mendoj që ata gabimisht e kanë menduar qëndrimin e popullatës në veri në raport me zgjedhjet. Mendoj se këta e kanë cilësuar si gjendje shumë të rëndë dhe kritike, çka nuk është e vërtetë sepse s’ka rrezikshmëri për asgjë”, ka thënë Aleksandar Jabllanoviq, Partia e Serbëve të Kosovës.

Tërheqjen e Jabllanoviqit nga gara e sheh si pozitive profesori i shkencave politike nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu.

Ai thotë se në këtë mënyrë ulet rreziku për ndonjë incident eventual të nxitur nga Lista Serbe.

“Tërheqja e tij do të thotë që nuk do të ketë incidente në veri sepse pjesëmarrja e tij në fakt ka rrezikuar incidentet. Ajo do ta egërsonte më shumë Listën Serbe dhe pastaj do të kishim incidente për shkak se do të dilnin më shumë serbë dhe Lista Serbe do të bëhej më nervoze dhe sigurisht që do të kishte rrezik edhe për Policinë e Kosovës dhe për ato vendet ku mbahen zgjedhjet”, ka shtuar Nexhmedin Spahiu, Profesor i shkencave politike.

Tani e vetmja kandidate serbe në këto zgjedhje është Sllagjana Pantoviq, e cila si e pavarur synon të fitojë udhëheqjen e komunës së Zveçanit.