Ngërçi në Kuvendin e Kosovës po shoqërohet me akuza për ndikim nga jashtë vendit, përkatësisht nga Maqedonia e Veriut, në përpjekje për të siguruar vota për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, respektivisht Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar publikisht Lëvizjen Vetëvendosje se po sjell njerëz nga Maqedonia e Veriut për të ndikuar tek deputeti goran Adem Hoxha.
Ai ka përmendur edhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, si një ndër personat e përfshirë në këto përpjekje.
“Me dhjetëra njerëz të VLEN-it po vijnë nga Maqedonia e Veriut me e kontaktu Adem Hoxhën, me kërkesë të Albinit”, ka thënë para disa ditësh Haradinaj.
Edhe të premten, Haradinaj përsëriti akuzat e tij duke përmendur sërish emrin e Izet Mexhitit dhe koalicionin VLEN, që është pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
“Gjithçka në politikë bëhet me një qëllim. Si ata që e thirrin Izet Mexhitin, e gjithë këtë strukturën. Dhe kanë prej atje me ardh këtu. Që është realisht një ndërhyrje e brendshme në jetën parlamentare, qeverisë e institucionale”, ka thënë Haradinaj.
Deklaratat për Shkupin nuk u ndalën me kaq. Edhe deputetja Duda Balje ka konfirmuar publikisht se asaj i është ofruar mundësia për një vend pune si profesoreshë në Maqedoni, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun.
“Po është e vërtetë. Pata disa thirrje prej personave që nuk janë bash direkt të politikës, janë në shoqëri. Unë para disa vitesh kam apliku për profesoreshë në Maqedoni edhe kam plotësu krejt kushtet ama më nuk kam apliku. Ama tash më kanë thënë se ka mundësi me diskutu për vendin e punës si profesoreshë”. Po, nuk ka qenë direktë por. Është një shoqe, një mjeke e Kosovës. Disa herë jemi taku rastësisht. Përgjigja ime ka qenë jo, kam refuzu sepse unë nuk i njoh këta persona dhe vërtet ka qenë e papranueshme. Ka pasë dy tri thirrje”, ka thënë Balje.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 20-të të premten për t’u konstituuar. Vetëm 53 deputetë morën pjesë në votimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë, duke lënë sërish pa kuorum seancën. Pika ku gjithçka ngec prej 11 seancash mbetet e njëjta: kalimi nga votimi i hapur në atë të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Seanca e radhës është caktuar për të dielën në orën 11:00.