A mund të hapë derën për negociata, shtyrja e vendimit për targa?

Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, e ka vlerësuar si legjitim vendimin e Kosovës për reciprocitet me Serbinë. Ai beson se shtyrja e implementimit të vendimeve për targa dhe dokumente mund të hapë derën për negociata midis dy vendeve fqinje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Zotimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj, mund të hapë derën për negociata ndërmjet dy palëve, të cilat ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, dhe mund të çojë në një kompromis të pranueshëm reciprok.

Kështu vlerëson eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, i cili në një përgjigje më shkrim për Portali Dukagjini, ka theksuar se vendimi i kryeministrit Kurti për reciprocitet me Serbinë është legjitim.

“Vendimi i Kurtit për reciprocitet është legjitim. Megjithatë, është një çështje e kohës, dhe padyshim se deri në çfarë mase ai dëshiron ta shtyjë këtë, duke e ditur fare mirë se Beogradi do ta kundërshtojë me forcë”, ka thënë Ben Meir.

Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir.

Ai që i parapriu vendimit të qeverisë për shtyrjen për 30 ditë të zbatimit të vendimeve, ishte kërkesa e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Hovenier e pa si të rëndësishme një shtyrje të tillë me arsyetimin se kishte qarkullim të dezinformatave dhe si hap do të ndihmonte në kuptim më të mirë të vendimeve të institucioneve përkatëse të Kosovës.

Për ekspertin amerikan, Ben Meir, kërkesa e ambasadorit Hovenier ishte thirrja e duhur. Kjo sepse siç thotë ai, parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të tensionit në mes të të dyja palëve.

“Besoj se kërkesa e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier në Kosovë për shtyrjen e reciprocitetit për një muaj ishte gjëja e duhur për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensionit mes dy palëve”.

Megjithatë, sipas tij, të dyja palët tani duhet ta përdorin këtë afat për të negociuar një marrëveshje të pranuar reciprokisht dhe asnjëra nuk duhet ta humbasë këtë mundësi.

Ben Meir thekson se pavarësisht sa të drejtë mund të ketë Kurti në lidhje me reciprocitetin, ai duhet të lërë hapësirë për negocim.

“Ai sigurisht që nuk dëshiron ta shtyjë sërish vendimin e tij, i cili mund të interpretohet si ai është dorëzuar, dhe kështu alternativa më e mirë për të është të negociojë seriozisht për të arritur një marrëveshje më të përhershme”, shtoi Ben Meir.

Eksperti amerikan thotë se si BE-ja ashtu edhe SHBA-të duhet të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Kosovën.

Cila është zgjidhja? 

Ben Meir ka analizuar një zgjidhje potencialisht të mundur për të cilën Kosova dhe Serbia duhet të bien dakord.

“Fillimisht të gjitha makinat që kalojnë kufirin do të mbajnë targat e tyre përkatëse, së dyti, asnjëra palë nuk do t’iu kërkojë udhëtarëve të marrin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga pala tjetër, së treti, të dyja palët bien dakord se dy pjesët e para nuk nënkuptojnë ose sugjerojnë njohje reciproke të sovranitetit të njëri-tjetrit, megjithëse ato janë plotësuese me dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin”, ka thënë ai.

Çka parashohin vendimet?

Të dielën e 31 korrikut, serbët lokalë në veri të Kosovës kishin bllokuar me kamionë dhe mjete të tjera rrugët në veri.

Kjo si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të datës 29 qershor, të cilat parashohin lëshimin e dokumentit të posaçëm për hyrje-dalje në Kosovë për ata persona që posedojnë dokumente serbe.

Bllokimi i rrugës

Ndërsa, vendimi i dytë ka të bëjë me targat me akronome të qyteteve të Kosovës, të cilat i lëshojnë institucionet përkatëse të Serbisë, që në Kosovë po konsiderohen si ilegale.

Në vitin 2011, dy shtetet fqinje kishin arritur marrëveshje në Bruksel për lëvizje të lirë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës ua mundëson pronarëve të automjeteve me targa që lëshohen në Serbi, t’i regjistrojnë makinat me targa “RKS”.

Për barrikadat e vendosura, kryeminsitri Kurti e ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre iu paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot”, kishte thënë Kurti.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që serbët lokalë në Veri të Kosovës, bllokojnë rrugët në shenjë të pakënaqësisë me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Shtatori i vitit 2021, ishte hera e fundit kur u bllokuan rrugët në veri, të cilat të çonin në drejtim të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak.

Serbët lokalë kishin protestuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar nga shoferët serbë që të hiqnin targat dhe të pajiseshin me targa të përkohshme kur të futen në territorin e Kosovës.

Por, BE-ja lehtësoi uljen e tensioneve duke çuar në pajtim midis dy palëve, dhe të vendoseshin letrat ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa.

Megjithatë, në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia, dështuan të arrinin një marrëveshje afatgjatë lidhur me këtë çështje.

Të dyja palët vazhdojnë ta aplikojnë regjimin me letra ngjitëse.

Shija e redaktorit

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Të fundit nga rubrika