Kohëve të fundit po flitet për nevojën e një hetimi ndërkombëtarë në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

I ftuar në emisionin “Five”, ish-avokati i popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se nuk ka mundësi të ketë hetim ndërkombëtar dhe se kjo çështje i takon ekskluzivisht shtetit të Kosovës.

Ai tha se hetimi duhet të bëhet në përputhje me standardet ndërkombëtare duke u bazuar në Konventën Evropiane, e cila sipas tij është edhe pjesë e sistemit juridik të Kosovës.

“Jo, për vlerësimin  tim nuk diskutohet për hetim ndërkombëtar, bëhet fjalë për standard ndërkombëtare që duhet të ndjekë një hetim objektiv e profesional nga autoritetet përgjegjëse…. Përndryshe është kuadër me standardet ndërkombëtare që janë të zbatueshëm në sistemin juridik të Kosovës. Kosova është konventa evropianë e zbatueshme në sistemin tonë, mjafton t’i përmbahemi standardeve që i përmban kjo konventë e cila është e detyrueshme për të gjitha autoritet, e besoj që jemi në rregull sepse aty trajtohen çështjet penale e civile… Mekanizmat si Këshilli i Evropës mund të bëjnë jehonë, mirëpo nëse përfillen këto mekanizma, është komplet detyrë e Kosovës hetimi”, tha ai.

Edhe avokati Ardian Bajraktari tha se përgjegjës për hetime është vetë shteti Kosovës, por theksoi nevojën për një raport të përpiluar nga Bashkimi Evropian për ta konstatuar përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist.

“Përgjegjës kryesor është Policia, pastaj EULEX-i e KFOR-i, natyrisht që një hetim apo raport kredibil ndërkombëtar për ta konstatuar rolin  e Serbisë në çështjen e involvimit në këtë aksion… Duhet bëhet dallimi, hetimi penal i cili është duke u bërë, dhe një raport, ku duhet të konstatohet roli i Serbisë në sulmin terrorist”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Vigan Qorrolli i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i vendosin sanksione Serbisë.

“Përfshirja e Serbisë është vërtetuar me zë e figurë. Ne si institucione i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe BE-së, që sa më parë t’i vihen sanksione shtetit serb, sepse ata e kanë të qartë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist”, tha ai.