“Në vitin 1997, UÇK ndërmori një sulm të njëkohshëm kundër 12 stacioneve të policisë…”

Ky është një nga aspektet që prokurori i Prokurorisë së Specializuar, Matthew Howling theksoi gjatë paraqitjes së provave nisje të gjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Ky sulm, sipas tij, ishte kryer nga Rexhep Selimi me ndihmën e Hashim Thaçit e Kadri Veseli në sigurimin e armëve të përdorura.

Mirëpo, një veprim i tillë ka nxitur reagime në Kosovë.

Avokati Yll Zekaj thotë se betejat mes dy forcave të armatosura nuk mund të konsiderohen si prova nga ana e Prokurorisë.

“Nuk mund të provohet fajësia e të bashkakuzuarve me një fakt të tillë për arsye sulmet ndaj stacioneve të Policisë nuk ka pasur të bëjë me sulm ndaj popullatës, nuk ka pasur të bëjë me sulm ndaj personave të paarmatosur. Do të thotë ata e kanë sulmuar pjesën tjetër me të cilën kanë luftuar në luftë. Kështu që kjo nuk mund të konsiderohet si provë apo fajësi e të akuzuarve në këtë proces”, ka deklaruar Yll Zekaj, avokat.

Vlerësim të ngjashëm ka edhe drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj. Ai thotë se rasti i theksuar nga prokurori nuk përmendet askund në aktakuzë.

“Ndoshta Prokuroria ka dashur të japë një kontekst, mirëpo besoj që kjo ishte krejtësisht e gabuar sepse në fund të ditës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë palë ndërluftuese dhe sulmet ndaj policëve dhe ushtarëve kanë qenë cak legjitim besoj i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sulmet ndaj stacioneve policore nuk do të trajtohen, nuk janë në asnjë pikë të aktakuzës”, ka deklaruar Blakaj.

Blakaj nuk beson që do të ketë ndikim në gjykim përmendja e sulmeve të UÇK-së ndaj policisë serbe.

“Sigurisht Prokuroria e ka strategjinë e vet dhe ka ndonjë arsye pse e ka përmend këtë, ndoshta për të treguar që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ushtri e mirë organizuar dhe ka qenë në gjendje të ndërmarrë këso sulmesh”, ka deklaruar ai.Pas më shumë se dy vjetësh nga konfirmimi i aktakuzës, më 3 prill nisi gjykimi kryesor  ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në ditën e parë, Prokuroria mbajti deklaratë hyrëse për rreth pesë orë, duke pretenduar se ka prova të mjaftueshme për të dënuar ish-krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.