A u “çmagjepsën” qytetarët e Kosovës nga kryeministri Kurti?

Rreth premtimeve të një “parajse në tokë”, - të kryeministrit Albin Kurtit - para ardhjes në pushtet, përdorimit të aurës së tij prej një “Messiah” e një mandati të ri eventual, për Dukagjinin kanë folur teoricieni politik Shkëlzen Maliqi dhe sociologu Shkodran Ramadani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Kjo ambicie e tij dhe e qarqeve që e quanin ‘Babë’ është dëmtuar dukshëm prejse Kurti ka arritur të bëhet kryeministër”

Kështu thotë filozofi dhe teoricieni politik, Shkëlzen Maliqi, i cili ka theksuar se te rasti kryeministrit Kurti nuk kemi të bëjmë për mitizimin dhe çimitzimin e tij, por për diçka tjetër, e që është tendenca e krijimit të idolatarisë të personalitetit të një politikani që ka prirje populiste.

“Te rasti i Kryeministrit Kurti nuk mund të flasim për mitizimin dhe çmitizimin e tij, por për tendencën e krijimit të idolatrisë ose kultit të personalitetit të një politikani që ka prirje populliste dhe e lartëson veten, ose e lejon që këtë ta bëjnë adhuruesit dhe ndjekësit e tij, sikur ai e ka një rol të veçantë të udhëheqësit shpirtëror, jo vetëm i subjektit politik në krye të të cilit është, konkretisht Lëvizjes Vetëvendosje!, por edhe të kombit në tërësi. Kjo ambicie e tij dhe e qarqeve që e quanin ‘Babë’, është dëmtuar dukshëm prejse Kurti ka arritur të bëhet kryeministër, p.sh. ka përjetuar fiasko përpjekja që lëvizja e tij të eksportohet në Shqipëri dhe në Maqedoninë Veriore, dhe tani ka edhe shenja të zhgënjimit te aktivistët e Vetëvendosjes, si dhe më gjerë, te pjesa e 51.6 % të elektoratit, që e pati votuar Kurtin, për kryeministër në shkurt të vitit 2021”, ka thënë Maliqi.

E sa i përket zhgënjimit të qytetarëve nga Kurti, Maliqi ka thënë se nuk mund të thuhet asgjë, pa bërë sondazhe të opinionit.

“Por, sa i thellë është zhgënjimi nuk mund të thuhet pa bërë sondazhe serioze të opinionit. Në hulumtimet që i kam bërë më herët me ‘Qendrën Gani Bobi’, e kemi matur me saktësi ngritjen e Albin Kurtit, por aktualisht nuk jemi më aktiv me hulumtime, kështu që rezervohem në deklarim”.

Maliqi ka theksuar se edhe vetë Kurti e di se ngritja meteorike, do të ketë edhe rënie me shpejtësi të njëjtë.

“Por, është një moment i vitit të kaluar që tregon tendencën e zhgënjimit të shpejtë me Kurtin dhe kultin e tij. Opinioni ynë e di këtë, madje e di edhe vetë Kurti, se ngritja meteorike e Lëvizje Vetëvendosje ka pësuar goditje të madhe në zgjedhjet lokale (tetori 2021), ku ‘koalicioni i shpresës’ i tij me presidenten Vjosa Osmani, dështoi ta konfirmojë suksesin e arritur tetë muaj më parë. Në zgjedhjet lokale mbi 100 mijë votues të LDK-së, që e patën ndjekur ndarjen e Vjosa Osmanit nga Isa Mustafa dhe afrimin e saj me Albin Kurtin, u kthyen në votues të LDK-së së Lumir Abdixhikut”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, ai ka theksuar se ato që po e dëmtojnë imazhin dhe kultin e Kurtit janë edhe largimet që po ndodhin të ish-aktivistëve dhe aderuesve të VV-së, të pakënaqur me sjelljen e tij si kryeministër dhe mospërmbushjen e premtimeve.

Sa i përket një çmagjepsje të popullit me të dhe një rreziku në gjendjen që mund të bjerë qytetari i zakonshëm, Maliqi na thotë se “Në politikë magjepsja është më e rrezikshme se çmagjepsja, sidomos kur magjepsja është ndërtuar mbi idetë dhe premisat joreale”, pasi sipas Maliqit “në të vërtetë Kurti para dy vitesh fshiu në tërësi të kaluarën e tij të majtë ideologjike, duke ndryshuar edhe paraqitjet politike dhe pjesërisht gjuhën, por janë disa sende që nuk po mundet t’i ‘përbijë’, sidomos rreshtimin e sinqertë me SHBA-të. Tashti po kuptojmë se nuk ka qenë vetëm çështje anomizitetit kundërshtimi i marrëveshjes së Uashingtonit që e pati diktuar ekipi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump”.

Filozofi dhe teoricieni politik, Shkelzen Maliqi

E, sipas tij, Kurti edhe Administratën e presidentit, Joe Biden, është duke e mbajtur në të njëjtën linjë qëndrimi.

“Kurti po sillet njëjtë edhe me Administratën e presidentit aktual, Joe Biden, duke mos i miratuar kërkesat që të mos acarojë situatën në veri të Kosovës, përderisa BE dhe SHBA po përpiqen që ta detyrojnë Serbinë që të pranojë marrëveshjen historike me Kosovën. Dhe protagonizmi i Kurtit ndodh në rrethanat e vorbullit të turbullirës gjeostrategjike pas luftës në Ukrainë, ku nga ai kërkohet që të rreshtohet me interesat e fuqive të mëdha. Pra, për Kosovën nuk është i rrezikshëm kulti i Kurtit sa protagonizmi i cili çon në kriza dhe situata konfliktuoze të panevojshëm, siç veproi me targat”, ka thënë Maliqi për Dukagjinin.

Ndërkaq, a pritet që qytetarët e Kosovës t’ia dhurojnë edhe një mandat tjetër Kurti, Maliqi tregon se është ende herët të flitet edhe për një mandat të ri, pasi, sipas tij, zhvillimet që po ndodhin në rajon dhe në botë janë të paparashikueshme se çfarë mund të sjellin në skenën politike.

Gjithashtu, Maliqi tha se nuk është vetëm Kurti në skenën politike, “i kemi edhe akterët tjerë nga opozita që nuk janë gjithaq të zëshëm, por po e presin momentin që të dëshmohen të rreshtuar shumë më kujdesshëm se Kurti në anën e duhur të historisë”.

Sipas tij, nëse Kurti “vazhdon me idetë e veta të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë, pa të cilët, Kosova nuk ka mundur të pavarësohet e as të lëvizë përpara” nuk do të ketë ndonjë ftesë zyrtare nga Uashingtoni.

“Çmitizimi i Kurtit po ndodh me një shpejtësi të rrufeshme. Ndryshe nga mitizimi, i cili ngadalë ia mori plot 20 vjet aktivitet, plot gënjeshtra, mashtrime, dhunë e vandalizëm, çmitizimi po ndodh vrullshëm dhe brutalisht”.

Kështu ka thënë analisti politik dhe sociologu, Shkodran Ramadani, duke i marrë parasysh në përgjithësi vendimet e kryeministrit Albin Kurti, në kohën sa ishte në qeverisje, me atë sa ishte në opozitë.

Sipas Ramadanit, nëpërmjet atij pozicioni (si opozitar), popullit të Kosovës ia premtonte “parajsën në tokë”.

Dhe, me këto premtime, sipas tij, Kurti në sytë e qytetarëve u pa si një “Messiah” (shpëtimtar) nga gjendja e “mjerueshme”, të cilën po kalonte Kosova.

Sipas tij, Kurti u pa si një i tillë në zgjedhjet e fundit, të cilat i fitoi dhe edhi në pushtet.

“Ai është parë si i tillë nga militantët, dhe në zgjedhjet e fundit edhe nga votuesit e tij. Gjithashtu është ndihmuar shumë edhe nga qeveritë e paafta dhe të korruptuara. Qeveritë skandaloze dhe udhëheqësit shkurtpamës ia kanë lehtësuar punën jashtëzakonisht shumë. Derisa në njërën anë kishim stagnimin, korrupsionin dhe dështimet, në anën tjetër shihnim Kurtin me premtime joreale, retorikë joshëse dhe një diskurs hipnotizues”, ka thënë Ramadani.

“Përmes një qasje të vrazhdë, Albin Kurti i dha një kontrast polarizues që në një anë rriti pakënaqësinë me qeveritë e kaluara dhe në anën tjetër rriti militantizmin për të. Kjo çmagjepsje normalisht do të ketë pasoja. Cinizmi dhe indiferenca janë të pashmangshme në planin afatshkurtër dhe afatmesëm. Mirëpo në planin afatgjatë, kjo hap rrugën për pjekuri politike e qytetare. Qytetarët nuk do të bien më kaq lehtë pre e mashtruesve dhe e demagogëve. Pritshmëritë do të maturohen. Kur të djegë qumështi, i fryn edhe kosit, thotë një fjalë popullore”, ka shtuar ai.

Analisti politik dhe sociologu, Shkodran Ramadani

Ramadani ka theksuar se pa një opozitë aktive, Kurti do të fitojë lehtë edhe një mandat tjetër.

“..do t’i lehtësojnë Kurtit edhe garën në zgjedhjet e ardhshme. Pa një opozitë aktive që denoncon çdo abuzim, Kurti do ta ketë të lehtë. Prandaj dinamizmi i angazhimit opozitar është i domosdoshëm”.

Pra, a mund Kurti që të marrë edhe një mandat sikur herën e kaluar, nëpërmjet aurës së një shpëtimtari, Ramadani na thotë “Messiah nuk do të ketë”, pasi, sipas tij, “pas kësaj çmagjepsjeje, qytetarët do të maturohen. Kësisoj, ai që do të pasojë Kurtin si kryeministër nuk do të jetë një Messiah, por një figurë e matur, racionale dhe konstruktive që ka respekt për kundërshtarët, për demokracinë dhe lirinë që janë tepër të çmueshme për historinë dhe ekzistencën e shtetit tonë”.

Shija e redaktorit

Kamberi: Pas Malit të Zi edhe Maqedonia e Veriut po...

Analisti politik, Belgzim Kamberi, ka thënë se fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së, nuk është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe as për Bashkimin Evropian...

Mbretërit kalojnë në finale të Ligës së Kampionëve

Mbretërit tashmë kanë kaluar në finale të Ligës së Kampionëve pas një fitore të zjarrtë ndaj Bayernit. Skuadra spanjolle, Real Madrid triumfoi me rezultatin 2-1,...

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Të fundit nga rubrika