Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka nominuar kreun e partisë, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Haradinaj do të jetë edhe bartës i listës për zgjedhjet e dhjetorit, teksa partia e tij do të garojë me sloganin “Krah teje”.
Vetë Haradinaj bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së është miratuar edhe lista me 110 kandidatë për deputetë si dhe programi zgjedhor.
Teksa shton se programi është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: “qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik”.
“Kombinimi i lidershipit të guximshëm e vizionar, lista gjithpërfshirëse dhe programi i zhvillimit ekonomik, janë themeli mbi të cilin do të ndërtohet oferta e Aleancës për këto zgjedhje parlamentare”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tha se Aleanca parasheh rritje ekonomike vjetore prej 7 për qind, rritje të GDP-së prej 12 në 14 miliardë euro brenda mandatit, rritje të buxhetit prej 3.3 miliardë eurosh, sa ka qenë në vitin 2025, në 4 miliardë për vitin 2026, për të mbërritur në 6.1 miliardë në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar.
Kjo politikë buxhetore, sipas tij, është garanci e stabilitetit financiar, e rritjes së pensioneve dhe pagave, të cilat që në vitin 2026 do të shënojnë rritje prej 31 për qind, shprehur në vlera nominale: pagë mesatare prej 1,100 eurosh dhe pension prej 500 eurosh, varësisht nga kategoritë.
“Kategoria e investimeve kapitale, si shtyllë e shtimit ekonomik, do të rritet mesatarisht prej 61 për qind në vitin e parë, për të mbërritur në 240 për qind në vitin 2029. Aleanca në zgjedhje niset “Krah Teje”, për rikthim të normalitetit në vend, zhvillim e mirëqenie, për anëtarësim në NATO dhe BE, për rikthim të partneritetit strategjik me aleatë të prirë nga SHBA, për sigurinë dhe ruajtjen e Shtetit si një të të pandarë. “Krah Teje” për Kosovën tonë të përbashkët. Na priftë e mbara!”, ka shkruar Haradinaj.