Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka njoftuar se këtë të hënë, në orën 11:00, deputetët e saj do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me krizën institucionale në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një njoftimi, AAK-ja ka bërë të ditur se do të dorëzojë kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të të gjitha vendimeve të tjera të ngjashme të marra gjatë seancave konstituive.
“Nesër, më 12 maj 2025, në ora 11:00, deputetët e AAK-së do të dorëzojnë kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të të gjitha vendimeve të tjera me natyrë të njëjtë, të marra në seancat paraprake dhe të mëvonshme për të njëjtën çështje, i përmbajtur në dokumentin e titulluar; “Transkript i Mbledhjes Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, si dhe më 1, 3 dhe 5 maj 2025”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Iniciativa u paralajmërua ditë më parë nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.