Abazi me tone të ashpra: Kurti dhe Vetëvendosje ka punuar natë e ditë për zhbërjen e shtetit
Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka drejtuar akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, duke e cilësuar këtë subjekt si përgjegjës për një proces të qëllimshëm të degradimit institucional në vend. Në një intervistë për emisionin FIVE në RTV Dukagjini, Abazi tha se amullia në Kosovë nuk nisi me moskonstituimin e Kuvendit, por është gjendje […]
Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka drejtuar akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, duke e cilësuar këtë subjekt si përgjegjës për një proces të qëllimshëm të degradimit institucional në vend.
Në një intervistë për emisionin FIVE në RTV Dukagjini, Abazi tha se amullia në Kosovë nuk nisi me moskonstituimin e Kuvendit, por është gjendje e vazhdueshme që nga ardhja në pushtet e Vetëvendosjes.
“Unë kisha dashtë me u pajtu me ty, por amullia ka qenë që katër vite. Tupani rreh për ata që kanë vesh. Ne kemi në krye të shtetit një lëvizje që realisht ka punuar natë e ditë për me zhbë shtetin e Kosovës”, deklaroi Abazi.
Ai kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke thënë se qytetarët janë mashtruar dhe kanë besuar verbërisht në një premtim për transformim, i cili, sipas tij, ka rezultuar në një “dreq të madh” që po dëmton çdo qelizë institucionale të vendit.
“Na ka dal realisht një dreq i madh, shumë më i madh se që e kam mujt me paramendu në politikën e Kosovës, e cila po e mban këtë pak shtet që e kemi dhe pak jetë institucionale që kemi mujt me mbrri me kriju në këto 25 vite”, tha Abazi.
Duke folur për raportet me bashkësinë ndërkombëtare, ai tha se ato janë në “ngrirje, mos me thënë minus”, ndërsa akuzoi Kurtin se është duke tentuar të rikthejë një koncept autokratik, përmes rikonfigurimit të strukturës shtetërore.
“Kurti është duke e bë për me kthyer në një koncept autokratik, mos me thënë puro komunist, ku një njeri vendos për gjithçka. Edhe ideja që kjo republikë nuk është e mjaftueshme për Kurtin dhe ai do me kriju një republikë të re ku dominon mendësia moniste edhe autokratike”, theksoi ai.
Abazi u shpreh se qëllimi i tij nuk është të akuzojë qeverinë apo Vetëvendosjen, por të pasqyrojë një realitet të hidhur që, sipas tij, po e ndjen çdo qytetar dhe po godet çdo institucion të ngritur në Kosovë që prej pasluftës.















