Abazi për deklaratën e Hovenier: Ka të bëjë me leximin e drejtë të situatës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se deklarata e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka të bëjë me lexim të drejtë të situatës dhe kurthit serborus për Kosovën, BE-në dhe NATO-n

Haki Abazi, Kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se deklarata e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka të bëjë me një pamje “realiste” të situatës.

Në një bisedë telefonike në emisionin “Magazina” të Radio Dukagjini, Abazi ka folur lidhur me reagimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka thënë se tani për tani nuk është e mundur njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dhe mendoj që qëndrimi i ambasadorit amerikan ka të bëjë me leximin e drejtë të situatës dhe kurthit serborus për Kosovën dhe BE-në, por pse jo edhe për NATO-n, duke tentuar që ky kurth të bjerë në një përplasje të bashkësisë ndërkombëtare, shtetet demokratike dhe Kosovën kundrejt planit të tensionimit të situatave në BE”, u shpreh Abazi.

E lidhur me këtë, deputeti nga VV, Haki Abazi, është shprehur se ambasadori ka thënë atë që është në prospektin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndërsa kritikat e tij Abazi i kishte për reagimet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi, sipas tij, të dyja palët “nuk kanë kredit për të folur rreth marrëveshjes përfundimtare”.

Ndërsa ka shtuar se partitë opozitare po përpiqen të shfrytëzojnë situatat për përfitime politike.

“Mendoj që miqtë nuk ta bëjnë qejfin, ambasadori ka thënë atë që është në prospektin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe gjendjes në të cilën ndodhet kontinenti ynë evropian pas agresionit rus në Ukrainë. Do të thotë është një situatë krejt e re në të gjitha drejtimet, por ajo që duhet shkoqitur këtu është një gjë që, as PDK-ja, e as LDK-ja nuk kanë asnjë kredit për të folur për marrëveshjen përfundimtare. Kritikat që vijnë nga opozita do të duhej të kishin peshë shumë më të madhe duke reflektuar mbi atë se çfarë i ka ndodhur Kosovës në pozicionin negociues. Në njërën anë kemi fusnotën, në anën tjetër nga PDK-ja për vite të tëra është punuar që të bindet faktori ndërkombëtar për ndarje. Kjo është njëra që duhet lënë, sepse nuk është koha për përfitime politike nga opozita në kurrizin e statusin dhe çështjes së marrëveshjes Kosovë- Serbi për një njohje”, ka thënë Abazi.

Krahas kësaj, Abazi ka vlerësuar se ishte një gabim i kryeministrit Kurti në besueshmërinë që ai i kishte dhënë Lajçakut drejt finalizimit të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e cila përfshinte njohjen reciproke. As këtu, Abazi nuk kurseu kritikat për opozitën.

“Gabimi ka qenë që zëvendëskryeministri i ka besuar Lajçakut se po shkojmë drejt finalizimit të një marrëveshjeje me njohjen në mes, edhe pse asnjëherë as Lajçak e as  Vuçiq kanë thënë se ky dialog ka të bëjë me njohjen përfundimtare. Gjithsesi, ajo që i doli para syve kryenegociatorit tonë dhe kryeministrit, një çështje që prodhoi barrikadat dhe tani është e rëndësishme të shfrytëzojmë edhe kohën edhe dinamikën për t’i lexuar mesazhet thellësisht, e jo për t’u bërë idhnak sikur deklarata e Çitakut ndaj ambasadorit amerikan”, ka deklaruar ai.

Pretendimet e Vuçiq mbi tërheqjen e njohjes së Kosovës nga 9 shtete

Një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte deklaruar se 9 shtete e kanë tërhequr njohjen për Kosovën, dhe se sipas tij, edhe një shtet së shpejti do ta bëjë të njëjtën gjë.

Lidhur me këtë, deputeti Abazi ka thënë se Serbia do të vazhdojë luftën e saj dhe se blerja e kohës për të duhet të përfundojë.

“Serbia do vazhdojë luftën e saj dhe pikërisht është kjo arsyeja që them unë se përkufizimi kohor për dialogun duhet të jetë i plotë dhe i qartë, sepse nuk mundemi pafundësisht të dialogojmë gjersa Serbia angazhon gjithë potencialin e vet, qoftë edhe të rrjeteve kriminale e financiare që i kanë ndërmjet njerëzve si Radojqiq…me qindra miliona euro të investuara në formën ilegale edhe në ekonominë e Kosovës në Veri, me nxehmjet e të tjera dhe në anën tjetër të llogarisim që ata të jenë palë konstruktive në dialogun në Bruksel. Do të thotë se blerja e kohës për Serbinë  duhet të përfundojë dhe kjo duhet të bëhet me qëndrimin koheziv dhe fushatë diplomatike që duhet të angazhohen të gjitha institucionet e Kosovës përfshirë edhe diasporën”, ka deklaruar ai.

Sa i përket reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje Abazi tha, “Për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të them të drejtën besoj se duhet pyetur ministren për këtë çështje, sepse jo shpesh kemi pasur detaje për qëndrimin dhe arsyet pse, ndoshta ajo më e shëndosha që mund ta them në këtë moment është që nuk duan që të bien në provokimin e Serbisë për t’i dhënë jetë kësaj çështjeje të njohjes si temë, gjë e cila mund të jetë e mençur por ky është mendimi im, nuk është se kam biseduar me ministren Gërvalla”

 

 

 

 

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika