Kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se duhet të shkojnë njerëz në burg për zhdukjen e mostrave të aktivistit të ndjerë të LVV-së, Astrit Dehari.

I ftuar në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Abazi ka thënë se zhdukja e të njëjtave nuk ka një arsyetim.

“Unë mendoj se duhet të shkojnë njerëz në burg për zhdukjen e këtyre provave. Kushdo që ka qenë përgjegjës në hierarkinë institucionale duhet të shkojë në burg. Nuk mundet askush të arsyetojë zhdukjen e provave”, ka deklaruar ai.

Saktësisht, të hënën pjesë e studios së “Debat Plus” ishte edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kjo e fundit kishte thënë se zhdukja e këtyre mostrave ishte bërë me qëllim të dëmtimit të saj, por sipas Abazit, çështja nuk është për ministren Haxhiu.

“Nuk është për ministren apo për një emër të përveçëm. Ka të bëjë me një situatë e cila kërkon sqarim deri në fund edhe involvim të prokurorisë deri në sqarimin e plotë”, ka deklaruar ai.

Krahas kësaj, ky i fundit ka thënë se ndonëse Kosova nuk ka kapacitetin e të ndërtuarit raketa, e njëjta ka kapacitet të mjaftueshëm për një prokuror, hetues e gjyqtar që nuk shkel më në ndjenjat e familjes Dehari.

Më 8 dhjetor, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i toksikologjisë.

“Mbrëmë është kuptuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë”, ka thënë Haxhiu.

Kjo e fundit kishte bërë të ditur se mbrëmjen e 7 dhjetorit, ishte kuptuar që mungojnë mostrat, por që nuk dihet se kur të njëjtat janë zhdukur.

Ministrja Haxhiu kishte theksuar se në këtë vend kanë qasje vetëm 3 persona dhe të njëjtit i kishte konideruar përgjegjës përgjatë prezencës së saj të hënën në “Debat Plus”.