Abazi: Samiti i djeshëm në Berlin fundos tentativën për iniciativa të kota rajonale si “Ballkani i Hapur”

Deputeti i VV-së, Haki Abazi, ka thënë se Samiti në Berlin i mbajtur të enjten fundos "tentativën për iniciativa të kota rajonale që paraqiten në mungesë të opsioneve reale për integrim evropian"

Haki Abazi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë për media në hollin e Kuvendit të Kosovës, 4 nëntor 2022





Në vazhdën e konferencave të rregullta për media, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, njëherësh deputet i VV-së, ka thënë se samiti i Procesit të Berlinit i mbajtur të enjten në Berlin dëshmon rrugën e vërtetë të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.

“Takimi i djeshëm në Berlin fundos tentativën për iniciativa të kota rajonale që paraqiten në mungesë të opsioneve reale për integrim evropian”, ka deklaruar Abazi, duke theksuar se është fjala për nismën e Ballkanit të Hapur.

Sipas tij, ky samit edhe një herë ka dëshmuar orientimin e Kosovës drejt vlerave demokratike dhe përcaktimin e saj për t’u fokusuar në bashkëpunime konkrete.

Ndërsa, për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se është edhe peng i liberalizimit të vizave, gjersa ka shtuar se duhet të merret parasysh edhe propozimi franko-gjerman.

“Plani franko-gjerman ka sinjal pozitiv të dinamizimit të dialogut, është një fazë e re e dialogut, duhet ta diskutojmë në mënyrë konstruktive e ta hedhim në publik”.

Ndërkaq, për afatin e targave, ka thënë se dëshmon se shteti ka një shtrirje ligjore dhe ka dëshmuar se kjo funksionon.

“Kam kërkuar që shtyerja të bëhet deri më 31 dhjetor, të ketë koordinim në mes aleatëve ndërkombëtarë dhe në ndërkohë qeveria ka dalë me një plan, i cili nuk provokon arsye për tensione në veri”, gjersa ka shtuar se nuk është çështja më e rëndësishme ajo e targave, por të vëzhgohet se kush po e pengon integrimin evropian të Kosovës.

“Nuk duhet ta paguajmë lojën e keqe që luan Serbia, është qartazi se ne vendimet duhet t’i marrim në interes të Kosovës”.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që ta hapë Ambasadën e Kosovës në Pakistan, për të cilën ka thënë se ka drejtuar edhe më herët kërkesë por nuk ka pasur veprim.

“Pakistani është vend mik, e ka njohur pavarësinë dhe ish-ambasadori i Pakistanit në Beograd ishte urdhëruar ta lëshonte Beogradin për shkak të protestës së tij kundër dhunës së Millosheviqit. Pakistani është një ndër shtetet më të rëndësishme dhe me potencial të madh zhvillimor. Ripërsëris kërkesën time ndaj ministrisë”.

Sipas tij, është mendësi strategjike e veprim i duhur diplomatik që Kosova të ketë përfaqësim diplomatik në Islamabad.

Ndryshe, të enjten e 3 nëntorit në Samitin e Berlinit janë nënshkruar tri marrëveshje në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale”, janë tri marrëveshjet e nënshkruara.

Ndërsa heqja e regjimit të vizave në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës pritet të bëhet përmes vendimeve të tjera bilaterale.

Ndërsa, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka përshëndetur nënshkrimin e tri marrëveshjeve në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi arritur tri marrëveshje të rëndësishme, ku të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë qasje të barabartë. Këto marrëveshje janë një arritje e madhe për qytetarët e rajonit. Marrëveshjet kanë ndihmuar dhe ndihmojnë që këto shtete të bashkëpunojnë edhe më shumë”, ka theksuar Scholz.

Me kërkesë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit pritet të organizohet dhe kryesohet nga Tirana.

Kështu bëri të ditur, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili njoftoi që më gjashtë dhjetor të këtij viti do të mbahet Samiti i parë Bashkimit Evropian (BE) në rajonin e Ballkanit Perëndimor (BP).

“Shqipëri do të mbahet i pari Samit i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë. Këto ngjarje të mëdha ndërkombëtare të pandodhura kurrë më parë në Shqipëri, të paimagjinueshme deri disa kohë më parë për t’iu besuar një qeverie të Shqipërisë, janë domethënëse për shkallën e respektit që Shqipëria ka fituar ndërkombëtarisht. Ne mbetemi një vend i vogël, me hallet e problemet tona që duan kohën, durimin e punën tonë për t’u zgjidhur, por ne sot kemi fituar respekt duke u dhënë të gjithëve respekt, por edhe duke kërkuar respekt nga të gjithë”, ka deklaruar Rama.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Qëllimet kryesore të këtij procesi janë, përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa, shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.

Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë tri marrëveshje në Berlin

 





Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika